Për herë të parë në Shqipëri, shoqata “EVU–Albania” organizoi një ngjarje të pazakontë në sheshin “Nënë Tereza”, duke sjellë për publikun dhe ekspertët një seri demonstrimesh të drejtpërdrejta mbi përplasjet e automjeteve dhe analizimin shkencor të aksidenteve rrugore.
Në kuadër të aktivitetit u zhvilluan katër crash test-e live, të realizuara me teknologji të standardeve më të larta evropiane, të njëjtën që përdoret për rindërtimin e saktë të dinamikës së aksidenteve dhe përcaktimin e shkakut të tyre.
Ngjarja tërhoqi vëmendjen e qytetarëve dhe specialistëve, duke ofruar jo vetëm një spektakël teknik, por edhe një përvojë edukative me vlera konkrete për sigurinë rrugore.
Në krye të organizimit ishte Dr.Ing. Alfred Hasanaj, drejtues i EVU–Albania, i cili theksoi se kjo iniciativë nuk ishte një shfaqje, por një përpjekje për të ndërgjegjësuar publikun dhe institucionet mbi rëndësinë e analizës së saktë të aksidenteve.
Nga Gjermania mori pjesë edhe Dr. Dipl.-Ing. Michael Weyde, president i EVU Europe, një prej figurave më të njohura në fushën e ekspertizës rrugore.
Ai vlerësoi nivelin profesional të organizimit dhe e cilësoi Shqipërinë si një nga vendet më të përgatitura për të implementuar praktika moderne në hetimin e aksidenteve.
“Standarti që pamë këtu është shumë i lartë. Është një model që duhet ndjekur nga vendet e tjera, veçanërisht ato që janë anëtare të reja të BE-së. Shqipëria tregoi se është gati të përmbushë detyra të tilla teknike dhe të rëndësishme. Teste të tilla janë thelbësore për të ndërtuar saktësisht dinamikën e një aksidenti,” u shpreh Dr. Weyde.
Aktiviteti solli gjithashtu risi të tjera për vendin tonë, përfshirë përdorimin për herë të parë të teknologjisë për leximin e “kutisë së zezë” të automjetit dhe dokumentimin në 3D të vendit të ngjarjes.
Këto metoda u aplikuan në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, Urgjencën Kombëtare dhe DPSHTRR, duke shërbyer njëkohësisht edhe si trajnim praktik për stafet e këtyre institucioneve.
Pjesëmarrësit ndoqën me interes çdo simulim, ndërsa mesazhi kryesor ishte i qartë: siguria rrugore nis nga ndërgjegjësimi dhe nga përgatitja teknike për t’u përballur me pasojat e aksidenteve.
Shoqata EVU–Albania përçoi mesazhin se çdo jetë ka vlerë, dhe Shqipëria mund e duhet të jetë më e sigurt në rrugët e saj.