Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dhënë pretencën për 13 të pandehurit e përfshirë në operacionin e koduar “Flakë në Det”, një ndër dosjet më të bujshme të trafikut të drogës drejt Europës.
Sipas SPAK, grupi kriminal akuzohet për “Trafikim të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe në kuadër të një organizate të strukturuar kriminale, si dhe për “Kryerje të veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Hetimet zbuluan se droga nisej nga zona bregdetare e Patokut dhe trafikohej përmes detit drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Plani përfshinte përdorimin e një velierë me emrin “Vilua”, e cila bënte shkëmbimin e ngarkesës në ujërat ndërkombëtare.
Në momentin kur operacioni u zbulua dhe policia ndërhyri, dy shtetas të huaj, të përfshirë në transportin e drogës, i vunë flakën mjetit lundrues dhe tentuan të arratiseshin me një mjet të vogël ujor, në përpjekje për të zhdukur gjurmët e aktivitetit kriminal.
SPAK ka kërkuar dënime të ashpra për të gjithë të pandehurit, ku më i larti i kërkuar është për Gëzim Çelën, i njohur si “Baroni”, i konsideruar drejtues i grupit kriminal. Për të, prokuroria ka kërkuar 16 vite burg, që ulet në 10 vite e 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Lista e dënimeve të kërkuara është si më poshtë:
- Gëzim Çela (Baroni) – 16 vite burg (10 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar)
- Arlind Ismailukaj – 15 vite burg (10 vite)
- Nerim Çela – 14 vite burg (9 vite e 4 muaj)
- Armando Mema – 12 vite burg (8 vite)
- Dritan Mataj – 12 vite burg (8 vite)
- Arben Dalipaj – 14 vite burg (9 vite e 4 muaj)
- Besnik Brokeri – 12 vite burg (8 vite)
- Alket alias Dritan Deda – 12 vite burg (8 vite)
- Selami Lushka – 12 vite burg (8 vite)
- Kyrylo Ponomarenko – 13 vite burg (8 vite e 4 muaj)
- Ksenofon Bodo – 12 vite burg (8 vite)
- Armando Papa – 12 vite burg (8 vite)
- Kostiantyn Biellon – 12 vite burg (8 vite)
Seanca për dhënien e vendimit përfundimtar nga Gjykata pritet të mbahet në ditët në vijim.