Më shumë se 150 krerë bagëti të imta kanë ngordhur në një fermë në fshatin Val, Njësia Administrative Martanesh, në Bashkinë e Bulqizës, ku dyshohet për një shpërthim të murtajës së ruminantëve të vegjël.
Sëmundja ngjitëse, që prek dhitë dhe delet, ka vënë në alarm autoritetet veterinare, pasi rrezikohet e gjithë tufa me rreth 700 krerë në pronësi të blegtorit Bajram Mata.
Shërbimi Veterinar i Dibrës ka ndërhyrë menjëherë duke marrë mostra për analiza, të cilat janë dërguar në laboratorin qendror në Tiranë.
Konfirmimi zyrtar për shkakun e ngordhjeve pritet të vijë pas analizimit të mostrave.
Ky është rasti i dytë i dyshuar, pas konfirmimit të parë më 3 qershor në një fermë dhish në Postribë të Shkodrës.
Si pasojë e rastit të Shkodrës, autoritetet kanë ndaluar lëvizjen e bagëtive brenda territorit të Shkodrës dhe Malësisë së Madhe, ndërsa është urdhëruar eliminimi i kafshëve të infektuara.
Paralelisht, në qarkun e Kukësit janë shtuar ndjeshëm masat parandaluese. Përgjegjësi i Shërbimit Veterinar, Bajram Peposhi, njoftoi se 35 veterinerë janë angazhuar intensivisht në terren, për të informuar fermerët dhe për të monitoruar situatën.
Deri tani, nuk janë identifikuar raste të murtajës në Kukës, por për shkak të afërsisë me kufirin dhe lëvizjes së lirë të bagëtive në verë, rreziku mbetet i lartë.
Autoritetet u kanë bërë thirrje fermerëve të kufizojnë lëvizjen e tufave, të rrisin masat e higjienës dhe të raportojnë çdo rast të dyshimtë klinik.
Çfarë është murtaja e ruminantëve të vegjël?
Murtaja e ruminantëve të vegjël (PPR – Peste des Petits Ruminants) është një virus shumë ngjitës që prek delet dhe dhitë. Përhapet kryesisht nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshët e infektuara, përmes sekrecioneve, jashtëqitjeve dhe ajrit në mjedise të mbyllura.
Simptomat kryesore përfshijnë temperaturë të lartë, rrjedhje nga sytë dhe hundët, inflamacion në gojë, vështirësi në frymëmarrje, diarre të fortë dhe humbje oreksi.
Në Kukës ndodhen rreth 45 kope themelore me rreth 40 mijë krerë bagëti të imta, sektor kyjetik për ekonominë rurale të zonës.
Kontrolli i shpërthimit të murtajës konsiderohet thelbësor për të mbrojtur blegtorinë dhe të ardhurat e fermerëve vendas.