Senatori dhe kandidati presidencial kolumbian Miguel Uribe Turbay mbeti rëndë i plagosur pasi u qëllua me armë zjarri gjatë një tubimi elektoral në një park të Bogotës.
Autoritetet konfirmuan se Uribe, figurë e njohur e partisë konservatore opozitare Centro Democrático, u godit tre herë, dy herë në kokë, dhe ndodhet në kujdes intensiv në spitalin “Santa Fe”, ku i është nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale emergjente. Gjendja e tij paraqitet kritike.
Sulmi ndodhi të shtunën pasdite, në prani të dhjetëra mbështetësve. Sipas policisë, autori është një 15-vjeçar i cili u plagos gjatë përplasjes me forcat e rendit dhe u arrestua në vendngjarje.
Gruaja e Uribes, Maria Claudia Tarazona, u ka bërë thirrje qytetarëve për lutje dhe unitet në një moment të vështirë për familjen dhe vendin.
Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, reagoi menjëherë pas ngjarjes, duke lënë mënjanë përplasjet politike:
“Është një ditë e dhimbshme për Kolumbinë. Sot, nuk ka rëndësi çfarë na ndan politikisht. Jemi të gjithë bashkë për jetën e Miguel Uribe Turbay.”