Ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026, u mbyll në një barazim pa gola më 7 qershor në stadiumin “Air Albania”. Kuqezinjtë krijuan disa raste të mira për shënim, përfshirë edhe një penallti në fund të pjesës së parë, por nuk arritën ta çojnë topin në rrjetë.
Edhe pse sfida u zhvillua pa incidente të rënda dhe përfundoi pa asnjë lojtar të lënduar, pasojat mediatike pas ndeshjes kanë qenë të tensionuara, veçanërisht nga kampi serb. Media të ndryshme në Beograd kanë publikuar tituj alarmantë, duke e përshkruar atmosferën në Tiranë si “ferr”, ndërsa tifozët shqiptarë i kanë quajtur “huliganë”.
Portale si Blic.rs, Kurir.rs dhe Sportal.blic.rs kanë raportuar për “sulme ndaj lojtarëve serbë”, duke thënë se ndeshja u ndërpre disa herë për shkak të hedhjeve të sendeve nga tribuna. Në disa raste pretendohet se lojtarët e Serbisë janë goditur në kokë me objekte të forta, megjithëse raportet zyrtare dhe pamjet nga ndeshja nuk evidentojnë lëndime serioze apo situata të pakontrollueshme.
Në një artikull të publikuar nga Sportal.blic.rs, citohet: “Mbijetuam falë Petrović! Tifozët shqiptarë treguan sjellje të turpshme duke goditur tre herë lojtarët tanë në kokë me sende të ndryshme. Çdo herë loja ndërpritej për pak, por fatmirësisht askush nuk u lëndua rëndë.”
Megjithatë, në terren ndeshja nuk u shoqërua me incidente të rënda dhe përfundoi normalisht. Reagimi i UEFA-s pritet në ditët në vijim, pasi çdo raportim zyrtar do të shqyrtojë organizimin dhe zhvillimin e ndeshjes sipas rregullave ndërkombëtare.
Në aspektin sportiv, Shqipëria kishte mundësinë për të fituar, por nuk e shfrytëzoi. Rey Manaj humbi një penallti të fituar nga Elseid Hysaj, ndërsa Serbia pati një rast të vetëm të rrezikshëm me Mitrović. Portieri serb Đorđe Petrović u cilësua si lojtari më i mirë i takimit nga mediat e vendit të tij.
Në fund, pavarësisht tensioneve të krijuara në media, ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë përfundoi pa fitues në fushë, por me shumë interpretime jashtë saj.