Kombëtarja e Serbisë është larguar sot nga Shqipëria, duke u nisur nga aeroporti i Rinasit nën masa të forta sigurie.
Futbollistët serbë janë shoqëruar nga forcat e policisë shqiptare, të cilat kanë garantuar një transport të qetë drejt Beogradit, pa incidente.
Ndeshja e zhvilluar një natë më parë në stadiumin “Air Albania” përfundoi në barazim pa gola.
Shqipëria e nisi më mirë takimin dhe fitoi një penallti pas një depërtimi të Elseid Hysajt, por Rey Manaj nuk arriti ta konkretizojë, pasi tentativa e tij u ndal nga portieri serb.
Pjesa e dytë solli sërish mundësi për të dy ekipet, por pa konkretizim. Strakosha u tregua vendimtar në portë, duke shmangur çdo rrezik nga sulmet serbe dhe duke mbajtur rezultatin të paprekur.
Takimi ishte pjesë e kualifikueseve për Kampionatin Botëror 2026. Shqipëria dhe Serbia ndodhen në Grupin K, së bashku me Anglinë, Letoninë dhe Andorrën.
Pas këtij barazimi, kuqezinjtë kanë grumbulluar 4 pikë dhe ndodhen në vendin e dytë, ndërsa Serbia merr pikën e saj të parë në këtë fushatë.