Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin e Hasrodes në Belgjikë, ku një adoleshent 16-vjeçar nga një familje refugjatësh ukrainas ka rrëfyer se ka vrarë nënën dhe motrën e tij gjashtëvjeçare me thikë, përpara se t’i vinte flakën shtëpisë për të mbuluar gjurmët.
Sipas Prokurorisë Publike të Leuvenit, i mituri dyshohet se ka sulmuar për vdekje familjarët në një rezidencë që u ishte vënë në dispozicion nga famullia lokale për të strehuar refugjatë ukrainas.
Nëna, 46 vjeç, u gjet e pajetë në vendngjarje, ndërsa vajza e vogël u dërgua në spital në gjendje të rëndë, por nuk mundi të mbijetonte.
Zjarri shpërtheu rreth orës 09:30 të mëngjesit, kur zjarrfikësit u thirrën në banesën ku po qëndronte familja.
Ekspertët e sigurisë konstatuan se flakët ishin shkaktuar qëllimisht, ndërsa autopsia konfirmoi plagë të shumta me thikë në trupat e viktimave.
Në kohën e zjarrit, 16-vjeçari ndodhej në shkollë, por më vonë u shoqërua nga autoritetet dhe pranoi autorësinë e ngjarjes. Ai pritet të dalë përpara gjykatës së të miturve, ndërsa motivet e veprës së rëndë mbeten ende të paqarta.
Ndërkohë, babai i familjes ndodhet në vijën e frontit në Ukrainë, ndërsa autoritetet e vendit të tij po ndjekin me vëmendje zhvillimet.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sbykha, ka urdhëruar ambasadën në Belgjikë të ofrojë mbështetje dhe të qëndrojë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet belge.