Shqipëria ka barazuar 0-0 ndaj Serbisë në “Air Albania”, në një ndeshje të tensionuar dhe me ritëm të lartë, në kuadër të kualifikueseve për Botërorin. Edhe pse rezultati nuk ndryshoi, kuqezinjtë treguan karakter dhe vendosmëri gjatë gjithë takimit, duke merituar duartrokitje për përkushtimin dhe shpirtin luftarak.
Djemtë e Sylvinhos krijuan raste të shumta për shënim, por mungoi qartësia në momentet vendimtare. Rasti më i mirë erdhi në fund të pjesës së parë, kur Shqipëria fitoi një penallti pas një ndërhyrjeje ndaj Elseid Hysajt në zonë. Rey Manaj mori përsipër ekzekutimin, por nuk arriti të shënojë. Përpjekje të rrezikshme pati edhe nga Armando Broja dhe Nedim Bajrami, por pa sukses në përfundim.
Pavarësisht shpërdorimeve, kuqezinjtë luftuan deri në fund, duke treguar se kjo skuadër ka zemër dhe meriton mbështetje në çdo hap. Edhe kur rezultati nuk është në favor, djemtë tanë përfaqësojnë me dinjitet ngjyrat kuqezi, dhe për këtë, kanë gjithmonë krahun e shqiptarëve.
Ndeshja nuk i shpëtoi tensionit, pasi u ndërpre për disa minuta, për shkak të sendeve të hedhura në fushë nga tifozët drejt lojtarëve serbë. Ky moment solli ndërhyrjen e zyrtarëve të UEFA-s dhe një paralajmërim serioz për publikun në stadium.
Pas kësaj ndeshjeje, Shqipëria ndodhet në vendin e dytë të grupit me katër pikë, pas një fitoreje, një humbjeje dhe një barazimi. Serbia luajti takimin e saj të parë dhe ka një pikë, ndërsa në krye të grupit qëndron Anglia me nëntë pikë pas tre ndeshjeve. Sfida e radhës për Shqipërinë do të zhvillohet në transfertë ndaj Letonisë.