Trajneri i kombëtares serbe, Dragan Stojkoviç, ka folur me vlerësim maksimal për Shqipërinë në konferencën për shtyp të zhvilluar në prag të sfidës kualifikuese për Kupën e Botës 2026.
Ai tha se ka analizuar në detaje kundërshtarin dhe e cilësoi ekipin kuqezi si solid, të organizuar dhe me futbollistë cilësorë.
Gjithsesi, ai theksoi se Serbia ka ardhur në Tiranë vetëm për një rezultat: fitoren.
“Shqipëria është një skuadër e mirë, me lojtarë cilësorë dhe një trajner të shkëlqyer si Silvinjo. Kemi ndjekur pesë ndeshjet e fundit të tyre dhe kemi bërë përgatitjet e duhura. Kanë vetëbesim, luajnë me agresivitet dhe e merituan plotësisht pjesëmarrjen në Europian. E dimë që nëse gabojmë, do të ndëshkohemi,” u shpreh Stojkoviç.
Ai shtoi se ekipi është përqendruar maksimalisht për të dalë me tre pikë nga Tirana:
“Në këtë ndeshje nuk shkojmë për barazim. Do të bëjmë gjithçka për të fituar. Lojtarëve u kemi dhënë informacione të sakta për kundërshtarin dhe jam i kënaqur me sjelljen e tyre në përgatitje. Nëse gjithçka shkon siç duhet edhe në stërvitjen e fundit, do të zbresim në fushë me formacionin që kam në mendje.”
Stojkoviç u ndal edhe në aspektin njerëzor, duke uruar besimtarët myslimanë për festën:
“Me këtë rast dua të uroj të gjithë ata që festojnë Kurban Bajramin, gëzuar festa.”
Krah trajnerit serb në konferencë foli edhe sulmuesi Aleksandar Mitroviç, i cili kujtoi përplasjet me Shqipërinë në vitin 2014.
“Kam dy kujtime të forta, një të keq në Beograd dhe një të mirë në Elbasan, ku fituam. Kanë kaluar shumë vite, brezat kanë ndryshuar, por Shqipëria ka mbetur një skuadër me cilësi dhe meriton respekt. Ne hyjmë në fushë për fitore, pavarësisht kundërshtarit, qoftë Shqipëria, Anglia apo Brazili. Synimi ynë është kualifikimi, por për ta arritur duhet të luajmë në mënyrë perfekte,” theksoi Mitroviç, duke u përqendruar vetëm te loja dhe jo te tensionet jashtë fushe.
Ndeshja Shqipëri–Serbi do të luhet të shtunën, më 7 qershor, në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania” të Tiranës.
Sfida është e para për Serbinë në kuadër të kualifikueseve të Botërorit 2026, ndërsa Shqipëria ka zhvilluar tashmë dy takime.