Autoritetet komunale në Leposaviç, të mbështetura nga Policia e Kosovës, kanë marrë nën kontroll sallën sportive të qytetit, e cila deri më tani funksiononte sipas sistemit të Serbisë.
Zëvendëskryetarja e komunës, Marina Bogojeviç, deklaroi për Radion Evropa e Lirë se funksioni i sallës nuk do të ndryshojë. Ajo tha se objekti do të mbetet i hapur për përdorim nga të gjithë qytetarët, me të njëjtin destinacion si më parë.
Ky veprim është pjesë e një fushate më të gjerë të ndërmarrë nga institucionet kosovare për të vendosur kontroll mbi ndërtesat dhe shërbimet publike që operonin jashtë sistemit ligjor të Kosovës dhe konsideroheshin si struktura paralele të Serbisë.
Pak javë më parë, një aksion i ngjashëm u zhvillua edhe në Mitrovicën e Veriut, ku autoritetet lokale morën nën administrim sallën sportive të qytetit.
Edhe atje u konfirmua se objekti do të vijojë të funksionojë, por menaxhimi i tij do të bëhet nga institucionet e Kosovës dhe përdoruesit do të duhet të respektojnë procedurat e reja për rezervim.
Qeveria e Kosovës e nisi mbylljen e institucioneve serbe që operonin në territorin e saj në fillim të vitit 2024.
Fillimisht u ndërprenë aktivitetet e njësive komunale të përkohshme, të bankës Kursimorja e Postës, Postës së Serbisë, si dhe të institucioneve të sigurimeve shëndetësore dhe pensionale.
Në fazën e fundit të këtij procesi janë përfshirë edhe objekte të tjera me funksion publik si bibliotekat e qytetit, muzeu i Mitrovicës së Veriut, Instituti për kulturë, rini e sport, si dhe shërbime të specializuara, përfshirë Shoqërinë Kulturo-Artistike “Kosovski Bozhur”.
Fushata e mbylljes dhe marrjes së kontrollit mbi këto institucione është pjesë e përpjekjeve të Prishtinës për të vendosur sovranitet të plotë në veri të vendit dhe për të zëvendësuar strukturat që i konsideron ilegale.