Prindërit e fëmijëve të infektuar me salmonelë në Kopshtin Nr.1 të Gramshit organizuan sot një protestë, duke kërkuar nga institucionet zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Fëmijët, të cilët u sëmurën që nga fundjava e kaluar dhe u dërguan në spital më 19 maj, vazhdojnë të përjetojnë dhimbje barku, diarre dhe temperaturë, edhe pas tetë ditësh trajtimi.
Në deklaratat për mediat, prindërit shprehën shqetësimin për sigurinë e ushqimit në kopsht dhe mungesën e informacionit nga autoritetet. Ata treguan se shumë prej tyre nuk kanë marrë udhëzime se si të veprojnë, pavarësisht se salmonela është një infeksion ngjitës që mund të prekë edhe familjet.
“Ne si prindër kërkojmë drejtësi, të zbardhet kjo çështje. Nuk duam të përfitojmë asnjë gjë nga kjo. Me sa kam parë tenderi i është dhënë një kompanie jashtë qytetit tonë. Ne kemi biznese këtu që ne i njoftim 1 000 herë më mirë dhe dinë ta bëjnë furnizimin, s’ka pse të dali jashtë bashkie kjo gjë,” tha një prind.
Një tjetër shtoi: “Ne kemi qenë shumë të shqetësuar. Fëmija im ka që të martën që është i infektuar. Mjekja na dha ilaçin dhe pas mjekimit është disi më mirë, ka rënë temperatura, por dhimbjet e barkut vazhdojnë akoma dhe nuk e dimë sa do zgjasë. Unë nuk jam i sigurt për ta çuar prapë fëmijën në atë kopsht, pasi nesër mund të ndodhë prapë.”
Nëna e një djali theksoi: “Djali im është i konfirmuar me salmonelë. Njoftimin e mora nga edukatorja e kopshtit të hënën, se fëmija shfaqi temperaturë. Sot po bëhen 8 ditë, dhe dhimbja e barkut, e stomakut, diarreja dhe temperatura vazhdon. Jemi trembur, jemi në gjendje ankthi dhe shoku. Kërkoj që të ketë siguri për ushqimin.”
Prindërit shprehën gjithashtu kërkesën për hetim nga prokuroria: “Na keni helmuar fëmijët, jepni përgjigje! Unë do i bëj thirrje prokurorisë. Në prokurorinë tonë është një djalë nga Gramshi, i bëj thirrje Kreshnik Ajazit, ndiqe këtë çështje mos e lerë, çoje deri në fund,” u shpreh një tjetër prind.
Në një prononcim për “News24”, një nënë tregoi se gjendja e djalit të saj mbetet shqetësuese, me dhimbje barku dhe diarre që vazhdojnë pavarësisht trajtimit. Ajo tha se janë në pritje të rezultateve të analizave për vajzën tjetër, duke theksuar frikën dhe ankthin e vazhdueshëm për shëndetin e fëmijëve të tyre.
Sipas dëshmive, shkaku i infeksionit dyshohet të ketë qenë supa e pulës, e cila u konsumua në kopsht. Një prej prindërve rrëfeu momentet e vështira me fëmijën e tij, i cili u trajtua me serum për më shumë se 72 orë, duke përjetuar të vjella dhe diarre të shpeshta.
“Fëmija është më shumë se 72 orë në serum. Te fëmija im ka qenë rasti i pari. Pasi dolën analizat, e kemi trajtuar në shtëpi fëmijën. Fëmija kishte të vjella e diarre çdo 10 minuta. 72 orëshi ishte një tmerr. Kam binjakë dhe shyqyr që fëmija tjetër nuk u sëmur. Jemi të bindur se fëmijët janë helmuar në kopsht. Nusja thotë se kanë konsumuar supën e pulës, nga informacione jozyrtare. Kam frikë se mos përhapet sëmundja dhe fëmijën po e mbaj në banesë,” tha ai.
Rasti ka ngjallur shqetësim të madh në komunitetin lokal, ku prindërit kërkojnë përgjegjësi më të madhe nga institucionet dhe masa të forta kontrolli për sigurinë ushqimore në institucionet arsimore.