Dymbëdhjetë persona kanë mbetur të plagosur në një sulm me thikë të ndodhur të premten në stacionin qendror të trenit në Hamburg, Gjermani.
Policia lokale dhe shërbimi zjarrfikës konfirmuan ngjarjen, duke bërë të ditur se disa nga të lënduarit janë në gjendje të rëndë për jetën.
“Sipas informacioneve fillestare, një person ka goditur me thikë disa qytetarë në stacionin qendror,” njoftoi policia e Hamburgut përmes një postimi në platformën X.
Zëdhënësi i zjarrfikësve sqaroi se viktimat po marrin ndihmën e parë në vendngjarje, përfshirë edhe brenda trenave, ndërsa disa janë dërguar me urgjencë në spital.
Mediat gjermane raportojnë se një grua është ndaluar nga policia federale në lidhje me ngjarjen, por motivet e sulmit mbeten ende të paqarta.
Si pasojë e incidentit, shërbimi hekurudhor në stacionin qendror është ndërprerë plotësisht, duke shkaktuar kaos në qarkullimin e udhëtarëve. Hetimet janë në zhvillim.