Florenc Meçja, i njohur edhe si Flobens Meçja, u kap në Durrës bashkë me Xhevdet Plakun. Ai është në kërkim për vrasjen e Arjan Spahiut në Belgjikë dhe përfshihet në hetimet e SPAK si pjesë e grupit kriminal të njohur si Klan Çopja.
Meçja akuzohet si vrasës me pagesë dhe është përfshirë edhe në hetime për vrasje të tjera me pagesë në Vlorë.
Emri i tij u përmend në disa biseda të zbuluara në platformën SkyECC, ku diskutohej me Franc Çopjan, i cili i ofronte 5 milion euro për ekzekutimin e Erion Alibejt, i njohur si “Krymi”. Për më tepër, Meçja pranohet të marrë përsipër vrasjet e Arjan Spahiut, Aldo Bahos dhe Ilir Lloshit, ky i fundit i njohur me pseudonimin ‘Liçe’.
Në bisedat e zbuluara, Meçja kërkon informacion rreth kamerave sigurie pranë banesës së Alibejt dhe planifikon atentatin me kujdes.
Ai thekson gatishmërinë për të kryer vrasjet, duke nënvizuar rëndësinë e pagesës së dhënë nga Çopja dhe strategjinë e ekzekutimit.
Hetimet zbulojnë se Meçja ka marrë një kapar nga Franc Çopja për ekzekutimin e një sërë personash dhe bashkëpunon me të për eliminimin e rivalëve të tyre. Franc dhe Hajdar Çopja janë të përfshirë në bashkëfinancimin dhe organizimin e këtyre operacioneve, duke krijuar kështu një luftë të hapur me grupin kundërshtar Alibej.
Në mesazhet e zbuluara, diskutohet edhe për implikimin e njerëzve jashtë Shqipërisë, përfshirë snajperistë nga Serbia, që do të merrnin pjesë në atentatet e planifikuara.
Gjithashtu, Franc Çopja nënvizon rëndësinë e parave dhe ndikimit që këto operacione kriminale kanë në institucione të ndryshme, duke ironizuar fuqinë që kanë paraja në “vendosjen” e drejtësisë.