Qeveria ka hedhur hapin e parë konkret drejt ndërtimit të një piste moderne për Formula 1 në Elbasan.
Me një vendim të posaçëm, është urdhëruar shpronësimi i pronarëve në zonën ku parashikohet ndërtimi i pistës, ndërsa institucionet përgjegjëse janë ngarkuar për të ndjekur të gjitha procedurat ligjore.
Fondi për shpronësimet llogaritet rreth 3.5 miliardë lekë të vjetra, por kostoja e plotë e ndërtimit të pistës ende nuk është bërë publike.
Projekti konsiderohet si pjesë e një strategjie për të futur Shqipërinë në hartën e garave ndërkombëtare të automobilizmit.
Vendimi:
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “AUTO – MOTO PARK”, BASHKIA ELBASAN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Auto – Moto Park”, Bashkia Elbasan.
Shpronësimi bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
Pronarët e pasurisë të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasurinë e llojit “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 347 372 260 (treqind e dyzet e shtatë milionë e treqind e shtatëdhjetë e dy mijë e dyqind e gjashtëdhjetë) lekësh.
Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 347 372 260 (treqind e dyzet e shtatë milionë e treqind e shtatëdhjetë e dy mijë e dyqind e gjashtëdhjetë) lekësh, përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor.
Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
Pronarët e pasurisë së paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.
Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.