Megaoperacioni ndërkombëtar i koduar “Ura”, i zhvilluar nga autoritetet shqiptare dhe ato italiane, është shtrirë edhe në qytetin e Fierit, ku një nga të arrestuarit është Ligor Çombashi, administrator i kompanisë së udhëtimeve “Ligori Travel”, që operon linjën Shqipëri–Itali.
Ai u ndalua në orët e para të mëngjesit në banesën e tij në fshatin Sheq Marinas. Çombashi rezulton të ketë qenë i njohur më herët për autoritetet ligjzbatuese, pasi në vitin 2016 ishte arrestuar në Vlorë për kontrabandë mallrash.
Sipas të dhënave nga zona, aktiviteti i tij ka nisur që në fillim të viteve ’90 me transport mallrash dhe pasagjerësh, ndërsa dyshohet se gjatë kësaj kohe ka kryer edhe transport të paligjshëm të shumave të mëdha parash nga Italia drejt Shqipërisë, për llogari të grupeve kriminale.
Një tjetër emër i përfshirë në këtë dosje është Elvis Doçi, i njohur si “Visi i Pojës”. Ai është një personazh i njohur për drejtësinë shqiptare dhe ndërkombëtare.
Në vitin 2024, gjatë një kontrolli të kryer nga SPAK në banesën e tij, u sekuestruan rreth 3 milionë euro cash.
Doçi është nipi i Xhevdet Troplinit, një tjetër figurë e njohur e botës së krimit, i cili ka shmangur disa herë ndalimin nga autoritetet dhe akuzohet për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Operacioni “Ura” u finalizua nga Antimafia italiane në bashkëpunim me SPAK-un dhe përfshiu ekzekutimin e masave në disa qytete shqiptare, përfshirë Tiranën, Durrësin, Fierin dhe Vlorën.
Hetimet janë fokusuar në një rrjet të madh kriminal që dyshohet për trafik ndërkombëtar të heroinës dhe kokainës nga Ballkani drejt vendeve të Bashkimit Evropian dhe për pastrim të të ardhurave kriminale.