Skip to content
Kryesore

Vrasja e Ermir Dedjas, policia merr në pyetje të ëmën dhe 12 persona të tjerë

· 2 min lexim

Vrasja e Ermir Dedjes në Durrës mbetet ende pa autor, ndërsa policia ka marrë në pyetje të paktën 13 persona.

Mes tyre janë familjarë të afërt, përfshirë nënën e viktimës, si dhe persona nga rrethi i tij shoqëror që mund të kenë dijeni për konfliktet e fundit të 29-vjeçarit.

Ngjarja ndodhi pas mesnate, më 20 maj, në lagjen 18 të qytetit bregdetar. Dedja ndodhej në një lokal kur u qëllua për vdekje me automatik nga një person që lëvizte me një makinë të bardhë.

Pas atentatit, autorët u larguan me shpejtësi, ndërsa automjeti u gjet i djegur rreth 7 orë më vonë në fshatin Gërdec të Tiranës.

Sipas burimeve nga hetimi, Dedja dyshohet se kishte lidhje me grupin kriminal të Shijakut, konkretisht me fraksionin e Avdylajve. Ai njihej si mik i ngushtë i Astrit Avdylajt, tashmë në kërkim ndërkombëtar nga SPAK.

Gjithashtu, kishte precedentë penalë për përfshirje në ngjarje të mëparshme kriminale, në vitin 2015 u arrestua për trafik droge drejt Kosovës, ndërsa në 2017 u përfshi në një plagosje me armë zjarri dhe u procedua si bashkëpunëtor.

Policia ka sekuestruar gëzhoja, pamje filmike dhe dëshmi nga të pranishmit në vendin e ngjarjes.

Dy pistat kryesore të hetimit janë prishja e pazareve të drogës dhe hakmarrja, të lidhura me ngjarjet kriminale ku Dedja ka qenë i përfshirë në të kaluarën.