SPAK dhe BKH vijojnë me intensitet hetimet për krimet zgjedhore në qarkun e Elbasanit, duke u fokusuar si në periudhën parazgjedhore, ashtu edhe në ditën e votimit.
Burime nga media bëjnë me dije se grupet hetimore po mbledhin dëshmi, prova dhe materiale të tjera që lidhen me raste të dyshuara si blerje votash, presione ndaj votuesve, përdorim i paligjshëm i burimeve të administratës publike nga kryetarë bashkish për interesa elektorale, përfshirje të bizneseve të mëdha dhe të grupeve kriminale në procesin zgjedhor.
Hetuesit po analizojnë pamje filmike, komunikime elektronike dhe dokumentacion tjetër për të identifikuar çdo shkelje të ligjit zgjedhor dhe penal.
SPAK ka bërë të ditur se çdo individ apo strukturë që ka tentuar të manipulojë votën apo të ndikojë në procesin demokratik do të përballet me ndjekje penale.
Hetime të ngjashme janë shtrirë edhe në qytete të tjera si Shkodra, Librazhdi dhe Peqini, ku janë kryer kontrolle dhe verifikime për të dokumentuar praktika të paligjshme që lidhen me zgjedhjet.