Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim shtetasin Dritan Hoxha, i akuzuar për “vrasje me paramendim, kryer në bashkëpunim”.
Ngjarja për të cilën ai akuzohet ka ndodhur në vitin 2010 në qytetin Larisa të Greqisë, ku sipas hetimeve, Hoxha së bashku me një shtetas tjetër shqiptar (tashmë i arrestuar në Greqi) ushtruan dhunë ndaj bashkatdhetarit të tyre Besim Besimaj, i cili ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra. Më pas, ata fshehën trupin e viktimës.
Dritan Hoxha u arrestua një vit më parë në Tepelenë nga policia shqiptare, pas një hetimi që kishte nisur prej vitit 2017, kur xhaxhai i viktimës denoncoi në polici se nipi i tij ishte gjetur i pajetë brenda makinës, me shenja të dukshme dhune.
Sipas dosjes së prokurorisë, viktima dhe autori ishin njohur më parë dhe natën e krimit kishin qenë në të njëjtin lokal, pronë e viktimës, duke konsumuar alkool.
Ata janë larguar së bashku, dhe nga tabulatet telefonike rezultoi se Dritan Hoxha kishte komunikuar me bashkëpunëtorin e tij B.B., me të cilin më pas kanë ushtruar dhunë fizike sistematike ndaj Besimajt, duke e goditur në disa pjesë të trupit. Goditjet në kokë rezultuan fatale.
Për ta fshehur krimin, dy autorët e vendosën trupin e pajetë në makinën e viktimës dhe e zhvendosën nga vendi i ngjarjes.
Po atë natë, viktima kishte me vete tre çeqe me vlerë rreth 150 mijë euro. Autoritetet greke e kishin cilësuar vdekjen si vepër penale me rrethana të rënduara, ndërsa Hoxha tani pritet të përballet me drejtësinë shqiptare për këtë krim të rëndë.