Tirana mirëpret sot Samitin e gjashtë të Komunitetit Politik Evropian, që për herë të parë zhvillohet në një vend të Ballkanit Perëndimor.
Aktiviteti mbahet në Sheshin Skënderbej, i kthyer për këtë ditë në skenën qendrore të diplomacisë evropiane, duke mbledhur liderë nga 47 vende të kontinentit, përfshirë edhe drejtues të institucioneve më të larta ndërkombëtare.
Mes pjesëmarrësve më të spikatur janë: kryeministri britanik Keir Starmer, kancelari gjerman Friedrich Merz, presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.
Kryeministri Edi Rama, si mikpritës i samitit, ka nisur ditën me takime dypalëshe me liderë të rëndësishëm evropianë, duke filluar me kreun e NATO-s Mark Rutte dhe më pas me kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez.
Në agjendën e tij janë planifikuar rreth 10 takime, përfshirë edhe me presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidentin turk Erdogan.
Samiti do të bashkëdrejtohet nga Rama dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa. Tema që udhëheq këtë edicion është: “Evropa e re në një botë të re: Unitet, bashkëpunim, veprim i përbashkët”, me qëllim forcimin e kohezionit evropian përballë sfidave globale. Puna do të zhvillohet në tri tryeza të rrumbullakëta, secila me fokus të veçantë.
Gjatë ditës do të zhvillohen gjithashtu ceremonia zyrtare e mirëseardhjes dhe një seri aktivitetesh artistike e kulturore që promovojnë trashëgiminë shqiptare.
Takimi do të kulmojë me një konferencë të përbashkët për shtyp mes kryeministrit Rama dhe kryeministres daneze Mette Frederiksen, vendi i së cilës do të jetë nikoqiri i samitit të ardhshëm.
Në listën e plotë të pjesëmarrësve përfshihen krerë shtetesh dhe qeverish nga pothuajse çdo vend i Evropës, si dhe drejtues të institucioneve kyçe ndërkombëtare si Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian, NATO dhe OSBE.
Më poshtë disa prej emrave të konfirmuar:
• Antonio Costa – President i Këshillit Evropian
• Ursula von der Leyen – Presidente e Komisionit Evropian
• Roberta Metsola – Presidente e Parlamentit Evropian
• Mark Rutte – Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s
• Feridun Sinirlioglu – Sekretar i Përgjithshëm i OSBE-së
• Keir Starmer – Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar
• Emmanuel Macron – President i Francës
• Giorgia Meloni – Kryeministre e Italisë
• Pedro Sanchez – Kryeministër i Spanjës
• Recep Tayyip Erdogan – President i Turqisë
• Volodymyr Zelensky – President i Ukrainës
• Aleksandër Vuçiç – President i Serbisë
• Vjosa Osmani – Presidente e Kosovës
• Donald Tusk – Kryeministër i Polonisë
• Christian Stocker – Kancelar i Austrisë
• Friedrich Merz – Kancelar i Gjermanisë
• Bart De Wever – Kryeministër i Belgjikës
• Mette Frederiksen – Kryeministre e Danimarkës
• Maia Sandu – Presidente e Moldavisë
• Nikos Christodoulides – President i Qipros
• Jakov Milatoviç – President i Malit të Zi
• Albert II – Princ i Monakos
Takimet dypalëshe, diskutimet tematike dhe fotoja tradicionale familjare do të jenë pjesë e programit intensiv që zhvillohet gjatë gjithë ditës në zemër të Tiranës.