Skip to content
Politikë

“Kërkova qetësi, u godita,” flet kryetari i KZAZ 30 pas incidentit

· 1 min lexim

Kryetari i KZAZ-së nr. 30 në Tiranë, Remzi Mehmeti, ka folur për mediat lidhur me incidentin që ndodhi mesditën e së enjtes në qendrën e numërimit të votave në Kashar, ku u godit nga një vëzhgues.

Mehmeti sqaroi se konflikti nisi për shkak të një vote të kandidatit të PS-së, Orlando Rakipi, e cila po kontestohej nga disa vëzhgues. Ai tha se ka kallëzuar penalisht personin që e goditi.

“Vëzhguesit po kundërshtonin me zë të lartë një votë. U afrova për t’i qetësuar, por ata filluan të ofendonin dhe të bërtisnin,” tregoi Mehmeti.

Kryetari i KZAZ-së shtoi se kur paralajmëroi për largimin e tyre nga salla, situata u acarua dhe doli jashtë kontrollit:

“I njoftova se do kërkoja largimin e tyre, por ata kaluan perimetrin e sigurisë dhe njëri prej tyre më goditi.”

Ai theksoi se vota në fjalë për kandidatin Rakipi duhej të vlerësohej nga KZAZ-ja sipas procedurave, por kjo nuk u lejua nga vëzhguesit.

“Kemi kallëzuar penalisht personat e përfshirë, të cilët nuk i njohim. Jemi të vendosur të kryejmë detyrën pavarësisht këtyre situatave,” tha Mehmeti.

Policia ka ndaluar 26-vjeçarin Rei Nozlli lidhur me ngjarjen.