Policia e Shtetit, në bashkëpunim me strukturat e specializuara, ka ekzekutuar 6 vendime të Gjykatës së Posaçme për kontrolle ndaj personave dhe mjeteve të dyshuara për përfshirje në krime zgjedhore.
Operacioni është zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, Forcën e Posaçme Operacionale dhe drejtoritë vendore të policisë në Durrës, Tiranë, Shkodër dhe Korçë.
Në kuadër të hetimeve të drejtuara nga SPAK, janë ushtruar kontrolle ndaj 12 shtetasve dhe 9 automjeteve, në funksion të çështjeve që lidhen me korrupsionin aktiv dhe pasiv në procesin zgjedhor.
Policia bën me dije se veprimet operacionale vijojnë, me qëllim identifikimin, dokumentimin dhe ndëshkimin e të gjithë personave të përfshirë në krime zgjedhore.
Materialet procedurale janë referuar në SPAK për veprime të mëtejshme.