Katër kandidatë burra që kanë marrë më shumë vota preferenciale se rivalët e tyre në listat e hapura nuk do të bëhen pjesë e Kuvendit të ri, për shkak të zbatimit të kuotave gjinore të përcaktuara në Kodin Zgjedhor.
Ligji detyron partitë të respektojnë përfaqësimin gjinor, duke përcaktuar se asnjë gjini nuk mund të përfaqësohet me më pak se 30% të numrit total të deputetëve.
Si pasojë, disa kandidatë meshkuj ndonëse më të votuar janë zëvendësuar nga gra që kanë marrë më pak mbështetje nga zgjedhësit.
Në qarkun e Beratit, analisti Julian Zyla, me 4.598 vota, ka dalë i treti në listën e PS-së për nga numri i votave, por do ta humbasë mandatin në favor të Hatixhe Konomit, e cila ka marrë 3.366 vota, rreth 1.200 më pak.
Në Durrës, deputeti aktual Ilir Ndraxhi, me 3.681 vota, do të zëvendësohet nga Etleva Budini, e cila ka marrë vetëm 1.773 vota, afro 1.900 më pak.
Në Korçë, Arian Jaupllari, me 5.022 vota, nuk do të shkojë në Kuvend, edhe pse ka marrë 10 vota më shumë se Besa Spaho, e cila përfiton mandatin.
Në Tiranë, një situatë e ngjashme është regjistruar edhe me Xhemal Qefalian, i cili nuk përfiton mandat për shkak të kuotës gjinore, edhe pse ka rezultuar më i votuar se një kandidate femër në listën e PS-së.
Ky sistem synon të garantojë një përfaqësim më të drejtë të grave në politikë, por njëkohësisht ngre diskutime mbi balancën mes vullnetit të votuesve dhe detyrimeve ligjore për barazi gjinore.