Skip to content
Kryesore

Apeli pranon kerkësen e SPAK, nuk nisin hetimet ndaj Olta Xhaçkës dhe bashkëshortit

· 1 min lexim

Gjykata e Posaçme e Apelit ka pranuar këtë të mërkurë ankimimin e Prokurorisë së Posaçme, duke vendosur që të mos fillohen hetimet ndaj ish-ministres Olta Xhaçka dhe bashkëshortit të saj, Artan Gaçi.

Apeli ka rrëzuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila kishte urdhëruar regjistrimin e procedimit penal dhe nisjen e hetimeve ndaj dy të pandehurve, pas një kërkese të Fredi Belerit.

Sipas vendimit të shpallur nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, Apeli vendosi:

  1. Shfuqizimin e vendimit nr. 58, datë 28.02.2025 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
  2. Rrëzimin e ankimimit të Fredi Belerit, i cili kërkonte shfuqizimin e vendimit të SPAK-ut që refuzonte regjistrimin e procedimit penal.

Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë kishte pranuar ankesën e Belerit dhe urdhëronte SPAK-un të regjistronte hetim penal për akuzat e “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

Me vendimin e sotëm, Apeli i jep të drejtë SPAK-ut, duke vendosur që hetimet nuk do të regjistrohen ndaj Xhaçkës dhe bashkëshortit të saj.