Një ngjarje tragjike tronditi sërish vendin, këtë herë në fshatin Pla të Hasit, ku një konflikt i gjatë për çështje pronësie mes dy familjeve përfundoi me një vrasje të paralajmëruar publikisht në rrjetet sociale.
Të dielën pasdite, rreth orës 16:40, 41-vjeçari Ylber Jaku ekzekutoi me armë zjarri 34-vjeçarin Ryshyt Sallahu. Viktima ndodhej në automjetin e tij kur autori i zuri pritë dhe e qëlloi me pushkë, duke e lënë të vdekur në vend. Sipas Policisë së Kukësit, menjëherë pas krimit, autori u arrestua dhe arma e përdorur u sekuestrua.
Ngjarja mori jetë pas dy ditësh tensione të rënda mes dy familjeve. Më parë, 21-vjeçarja Artjola Sallahu – e motra e viktimës – ishte arrestuar pasi kishte dhunuar me mjete të forta çiftin e moshuar Agim dhe Vera Jaku, përkatësisht 65 dhe 60 vjeç, prindërit e autorit të vrasjes. Ata përfunduan në spital, me Agim Jakun jashtë rrezikut për jetën, ndërsa bashkëshortja e tij vazhdon të jetë nën kujdes mjekësor.
Një armiqësi e vjetër, me mbi 20 denoncime të neglizhuara
Sipas burimeve nga vendi, konflikti për pronat mes familjes Jaku dhe Sallahu vijon prej më shumë se 10 vitesh. Vetëm familja Jaku ka bërë mbi 20 kallëzime ndër vite për të njëjtën çështje. Denoncimet, të përsëritura dhe të dokumentuara, janë dorëzuar nga Agim Jaku, i cili kërkonte zgjidhjen institucionale të konfliktit. Por institucionet kanë mbetur në heshtje.
Pas plagosjes së prindërve të tij, Ylber Jaku vendosi të marrë drejtësinë në duart e veta, duke e kthyer përplasjen në një akt gjakmarrjeje.
Jo vetëm që paralajmëroi krimin një ditë më parë përmes një postimi në Facebook, por pas vrasjes, shkroi sërish në rrjet:
“Më duhej të hiqja qafe njërin prej tyre me shotgun, arsyeja është e qartë – për t’i dhënë një mësim të tjerëve që prisnin në radhë për t’u treguar të fortë me mua dhe familjen time.”
Masat erdhën shumë vonë
Gjykata e Kukësit vendosi të lërë në “arrest shtëpie” Artjola Sallahun për akuzat “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Plagosje e lehtë me dashje”, një vendim që erdhi pas vrasjes së vëllait të saj. Ndërkohë, ndaj Ylber Jakut është ngritur akuza për “vrasje me dashje” dhe vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal dhe ka nxjerrë në pah edhe një herë dështimin e institucioneve për të ndërhyrë në kohë, për të parandaluar atë që ishte, sipas të gjitha shenjave, një krim i paralajmëruar.
Një histori shqiptare e zakonshme – me denoncime të injoruara, institucione të heshtura dhe drejtësi që vjen vetëm pas tragjedisë.