Dy kompani dikur rivale në tregun e mbetjeve spitalore, “Eco Riciklim” dhe “Vale Recycling”, janë bërë bashkë për të fituar një tender publik me vlerë 1.2 milionë euro për asgjësimin e mbetjeve të rrezikshme në Sanatoriumin “Shefqet Ndroqi”.
Në të kaluarën, këto dy firma akuzonin njëra-tjetrën për favorizime në tenderët e spitaleve universitare dhe rajonale. Por situata ndryshoi kur biznesmeni Klodjan Allajbeu bleu për 60 mijë euro aksionet e “Eco Riciklim”, e cila më parë ishte në pronësi të Arbër Teqjas, djalit të nëndrejtoreshës së QSUT-së, Arjana Strakosha. Pas kësaj blerjeje, Allajbeu arriti të fitojë një tjetër tender me vlerë 1.7 milionë euro në QSUT dhe më pas u bashkua me firmën e Shkëlqim Mirit për tenderin e Sanatoriumit.
Sipas dokumenteve të siguruara nga VoxNews, më 2 maj 2025, Spitali “Shefqet Ndroqi” shpalli fitues bashkimin e operatorëve “V.A.L.E Recycling” me seli në Fushë-Kuqe dhe “Eco Riciklim” me bazë në zonën e Metalurgjisë, Elbasan. Tenderi ka një afat prej 48 muajsh dhe ka për objekt evadimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore, të ndara në dy lote. Vlera e shpallur është 115.856.000 lekë pa TVSH, dhe kontrata është firmosur nga drejtoresha e spitalit, prof. dr. Silvana Bala.
Si u bënë bashkë këto firma? Klodjan Allajbeu, që ka dosje në organet ligjzbatuese në Shqipëri dhe Kosovë, bleu për 60 mijë euro aksionet e Arbër Teqjas te Eco Rciklim dhe pas transaksionit fitoi tenderin 1.7 mln euro nga QSUT.
Procedura datoi në shkurt 2025. për shpalljen e tenderit. Më pas u bë kalimi i aksioneve nga Teqja te ANAMARK, në pronësi 100 % të Klodjan Allajbeut, pronari i Spitalit Amerikan në Shqipëri. Çmimi i shitjes ishte vetëm 60 mijë euro, teksa në kontratë u ra dakord që shitësi, në këtë rast Teqja, do të tërheqë edhe dividentin që i takon nga shoqëria në vlerën 730.000 euro bruto brenda 6 muajve nga data e nënshkrimit të kontratës së shitblerjes.
Pra nëse në tenderët e spitaleve Universitarë, Rajonalë dhe Lokalë kishte ‘luftë’ mes ECO dhe VALE, me futjen në ‘lojë’ të Allajbeut ‘lufta’ u zhduk si me magji. Kompania ‘ECO RICIKLIM’ ishte e vetme në këtë garë nga QSUT dhe fitoi me 100 % të fondit limit. Mori çdo qindarkë të akorduar nga QSUT-ja, teksa fshiu edhe nga tregu kompanitë e tjera
Ky zhvillim shënon një ndryshim të madh në strukturën e tregut për menaxhimin e mbetjeve spitalore, duke ngjallur pikëpyetje për mënyrën se si po ndahen kontratat publike dhe për ndikimin e lidhjeve të biznesit me drejtues të lartë të institucioneve publike.