Një nga pesë të plagosurit në përplasjen me armë që tronditi qytetin e Laçit mesditën e së shtunës ka ndërruar jetë.
Bëhet fjalë për Geri Bitrin, 24 vjeç, i cili nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë në orët e vona të natës në spitalin e Traumës në Tiranë.
Ngjarja ndodhi pranë ish-Gjykatës së Kurbinit, ku mbetën të plagosur edhe katër persona të tjerë, Amarildo Ndoj, Liridon Ismaili, Daniel Gjeloshi dhe Angjelina Gjezaj kjo e fundit një kalimtare që po shiste qirinj anës rrugës në momentin kur u përfshi në zjarrin e hapur.
Hetimet kanë zbardhur se gjithçka nisi nga një aksident rrugor pa pasoja serioze materiale, por që përshkallëzoi në përplasje me armë zjarri.
Pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë përdorimin e dy pistoletave, një përforcuesi grushti dhe përfshirjen e dy automjeteve, tashmë të sekuestruara nga policia.
Policia ka arrestuar dy të rinj të dyshuar si autorë të përfshirë në këtë ngjarje, Daniel Gjeloshi, 27 vjeç, dhe Klevis Ndreca, 28 vjeç.
Ata akuzohen për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “mbajtje pa leje të armëve”.