Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e 1 majit 2025 në qytetin e Kukësit, ku një konflikt mes dy të miturve ka përfunduar me përdorimin e armës së ftohtë. Rreth orës 17:25, një adoleshent rreth 15 vjeç dyshohet se ka goditur me thikë një bashkëmoshatar të tij, po ashtu 15 vjeç.
I plagosuri është transportuar menjëherë drejt spitalit të Prizrenit për ndihmë të specializuar mjekësore dhe, sipas të dhënave paraprake, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas Policisë, falë reagimit të menjëhershëm të uniformave blu dhe bashkëpunimit me qytetarët, autori i dyshuar është vetëdorëzuar në Komisariatin e Policisë Kukës.
Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të rrethanave që çuan në këtë incident të rëndë.