Një shpërthim me lëndë plasëse ka tronditur lagjen “Partizani” në Elbasan në orët e para të mëngjesit të 1 majit 2025.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:05 në katin e parë të banesës së shtetasit Arbër Pepa.
Fatmirësisht, në momentin e shpërthimit nuk ka pasur persona të pranishëm në banesë dhe nuk ka pasur të lënduar, përveç dëmeve materiale.
Hetimet paraprake kanë zbuluar se shpërthimi ka qenë i inskenuar. Dyshohet se pronari i banesës, Arbër Pepa, në bashkëpunim me nipin e tij, ka organizuar vendosjen e lëndës eksplozive për të krijuar një skenar të sulmit, me qëllimin për të kërkuar azil në një vend të Bashkimit Europian.
Sipas burimeve, Arbër Pepa dhe familja e tij kanë udhëtuar për në Greqi pak para shpërthimit, ndërsa nipi i tij ka vendosur tritolin pranë banesës.
Banorët e lagjes konfirmojnë se ata ishin larguar para shpërthimit, duke përforcuar dyshimet për inskenim.
Dëshmitarët e ngjarjes shprehen se shpërthimi ka qenë jashtëzakonisht i fuqishëm, duke tronditur të gjithë lagjen.
“Dëgjuam një zhurmë shumë të fortë, një si krismë. Kishim frikë të ndiznim dritat. Këtu jeton një burrë një grua dhe një fëmijë. Por ata ikën. Nuk kemi dëgjuar të jenë problematikë. Aq u trembëm…”, tha njëra prej tyre.
Nga shpërthimi janë shkaktuar thyerje të xhamave të dritareve të disa apartamenteve përreth.
Hetimet janë në vazhdim dhe dy të dyshuarit, Arbër Pepa dhe nipi i tij, janë arrestuar.