Kuvendi i Kosovës vazhdon të mbetet i pakonstituuar, pasi edhe në përpjekjen e nëntë dështoi zgjedhja e kryetarit të ri. Seanca e së enjtes nuk arriti të përmbyllë rendin e ditës, për shkak të moskalimit të propozimit për votim të fshehtë të kryeparlamentarit, iniciativë kjo e kryesuesit të seancës, Avni Dehari.
Për herë të parë që nga nisja e seancës konstituive më 15 prill, Lëvizja Vetëvendosje nuk paraqiti emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit.
Deri tani, janë miratuar vetëm dy pikat e para të seancës, verifikimi i mandateve dhe betimi i deputetëve, ndërsa procesi ka ngecur në zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Pas përfundimit të seancës, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, akuzoi LVV-në për “vazhdim talljeje” dhe e quajti propozimin për ndryshim të formës së votimit një “shkelje të hapur kushtetuese”. Ai përsëriti qëndrimin e prerë të partisë së tij kundër kandidaturës së Albulena Haxhiut, e propozuara e LVV-së për kryetare Kuvendi.
“Albulena Haxhiu nuk kalon dhe kaq. Le ta kuptojë edhe Kurti këtë gjë,” u shpreh Krasniqi, duke shtuar se kreu i LVV-së po mban peng institucionin më të lartë të vendit për një emër, duke e vënë Haxhiun, sipas tij, mbi interesin shtetëror.