Vrasja e Antonio Karafilit, një ngjarje e rëndë që mbeti e pazbardhur për shtatë vite, ka dalë më në fund në dritë.
Autore të krimit rezultojnë të jenë ish-e dashura e tij, Kejsi Spahillari, dhe partneri i saj i atëhershëm, Rexhep Vathi.
Gazetari Eraldo Harlicaj, duke u mbështetur në dosjen hetimore, ka sjellë detaje tronditëse mbi rrethanat e vrasjes së 18-vjeçarit.
Sipas hetimeve, Antonio dhe Kejsi kishin debatuar ashpër, pasi ai dyshonte se po tradhtohej. Pas konfliktit, të dy u larguan drejt Voskopojës, por vetëm Kejsi u kthye në Korçë, duke njoftuar nënën dhe vëllain e Antonios për një grindje mes tyre dhe zhdukjen e të riut.
“Është një ndër ngjarjet më të rënda që unë ka mbuluar, më enigmatike. Për ta lidhur me realitetin shqiptar, janë dy anë të medaljes. Nga një anë është një familje që në mendimin tim është heroike sepse kanë qenë të vetëm kundër një sistemi. Kisha rastin të njihesha me dosjen dhe nuk ishte e vështirë të shihje pazëllin që mungonte në këtë histori, rasti më i mirë ka qenë paaftësi, në rastin më të keq ka qenë korrupsion, në mendimin tim ka qenë kjo e dyta. Më 14 qershor 2018, Antonio Karafili është inskenuar skena bashkë me të dashurën e tij Kejsi Spahillari. Ka shkuar në Voskopojë dhe atje është dhënë lajmërimi që Antonio ka humbur. Ata kanë pasur një marrëdhënie prej dy vitesh e gjysmë. Jetonin në Korçë dhe familjarët kishin dijeni për lidhjen.
Ata kanë pasur debate të herëpashershme, pasi Antonio ka dyshuar se Kejsi e tradhtonte. Ka gjetur një numër te kushëriri i saj që nuk e njihte dhe aty kanë nisur debatet. Më pas të dy së bashku kanë shkuar në Voskopojë. Nga atje është kthyer e vetme Kejsi, është kthyer në Korçë më makinën e saj. në atë moment ka telefonuar nënën e Antonios dhe i ka thënë ‘kam pasur një debat me Antonion dhe ai është larguar, nuk e di vendndodhjen e tij. Hajde e kërkojmë në Voskopojë.’ Në atë kohë është lidhur me nënën dhe vëllanë e Antonios, të cilit i ka lënë disa sende, një varëse dhe një orë me idenë e amanetit. Së bashku të tre janë nisur me makinë me Voskopojë. Kejsi i ka drejtuar direkt te Antonio ku është gjetur i vetë varur.
Kur kanë shkuar më makinë, nëna e Antonios i ka kërkuar të kthej dhe Kejsi i ka thënë ’jo, do shkojmë këtu.’ Më pas është marrë trupi i viktimës. Është future një mekanizëm I gjatë vitesh deri në zbardhje e ngjarjes. Kejsi nuk ka qenë e vetme në këtë ngjarje. Ka pasur një bashkëpunëtor që është Rexhep Vathi, 65 vjeç, ku dyshohet se kanë pasur një raport intim. Viktima në këtë rast e ka zbuluar këtë ngjarje. Dyshohet se Kejsi dhe i moshuari e kanë vrarë Antonion dhe kanë inskenuar gjithë skenën.”, ka thënë gazetari.
Avokati i familjes së viktimës, Arben Llangozi, tregoi për emisionin “Top Story” se procesi gjyqësor u karakterizua nga konfuzion i madh, për shkak të manipulimit të provave dhe versioneve të rreme që u servirën në fillim. Ai theksoi se nëna e Antonio Karafilit ishte e tronditur nga zbardhja e autorëve, duke mos besuar se pas ngjarjes fshihej pikërisht vajza që djali i saj e kishte dashur.
“Ditën që mora në dorë vendimin e prokurorisë, nëna e viktimës mbeti e shokuar. Nuk e imagjinonte kurrë që pas zhdukjes së djalit fshihej vajza që ai kishte dashur, bashkë me partnerin e saj. Por të nesërmen më tha se, megjithëse dhimbja nuk shërohet, të paktën kishte gjetur njëfarë qetësie nga zbardhja e së vërtetës,” – tregoi avokati.
Ai theksoi se ngjarja ishte mbuluar me një skenar të ngatërruar, prova të manipuluara dhe dëshmi të rreme, që kishin penguar drejtësinë për vite me radhë.
Por tashmë, pas zbulimeve të fundit, pritet që procesi gjyqësor të sjellë dënimin e autorëve dhe të rikthejë sadopak drejtësinë për familjen e të ndjerit.