Kryeministri dhe njëherësh kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka ftuar në një takim dy liderët e partive kryesore opozitare Memli Krasniqin e PDK-së dhe Lumir Abdixhikun e LDK-së në përpjekje për të zgjidhur ngërçin institucional që po pengon konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Takimi është parashikuar të zhvillohet të enjten në orën 08:30, pak përpara nisjes së vazhdimit të nëntë të seancës konstituive të Kuvendit, ka bërë të ditur zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka konfirmuar pjesëmarrjen në takim, duke shpresuar se Kurti do të rishqyrtojë kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit një emërim që ka shkaktuar kundërshti mes partive.
Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka refuzuar ftesën. Deputeti i saj, Besian Mustafa, deklaroi për Radion Evropa e Lirë se “nuk do të marrim pjesë në takim”, duke shtuar se kryetari Lumir Abdixhiku ndodhet jashtë vendit.