Për të tetën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk arritën të konstituojnë legjislaturën e re, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, për të gjashtën herë nuk mori mbështetje për postin e kryeparlamentares.
Ajo mori 54 vota pro, 44 kundër dhe 3 abstenuan. Në seancat paraprake, Haxhiu kishte marrë 57 vota, por disa deputetë të LVV-së munguan në këtë raund.
Seanca konstituive ka nisur më 15 prill dhe deri tani, nga shtatë seanca, janë miratuar vetëm dy pikat e para të rendit të ditës miratimi i raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe betimi i deputetëve, por procesi është bllokuar në pikën e tretë, atë të zgjedhjes së kryeparlamentarit.
Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, ka të drejtën ekskluzive për të propozuar kandidatin për kryeparlamentar, dhe Albulena Haxhiu është kandidatura e saj. Megjithatë, ajo nuk ka arritur të marrë votat e nevojshme për t’u zgjedhur. Në seancat paraprake, ajo ka marrë 57 vota, katër më pak se shumica e nevojshme.
Faton Peci nga Partia Guxo, i cili kishte garuar në zgjedhje në kuadër të LVV-së, theksoi se propozimi për kryeparlamentare do të mbetet i njëjtë, ndërkohë që Rashit Qalaj nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) deklaroi se nuk do të votojnë për Haxhiun.
Po ashtu, Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Fatmir Limaj nga Nisma Socialdemokrate theksuan se qëndrimi i tyre mbetet i pandryshuar, duke abstenuar nga votimi i kandidaturës së Haxhiut.
Limaj theksoi se LVV-ja duhet të përpiqet të krijojë një shumicë parlamentare, për të evituar zgjedhje të reja, por gjithashtu tha se, nëse nuk arrihet një marrëveshje, mund të shkohet në zgjedhje të reja.
Partitë opozitare kanë deklaruar se mosvotimi i kryeparlamentarit tregon se LVV-ja nuk ka mjaft vota për të formuar një shumicë parlamentare dhe për të krijuar qeverinë e re.
PDK dhe AAK e kanë cilësuar Haxhiun si një figurë përçarëse, ndërsa LDK ka kërkuar që LVV-ja të propozojë një kandidaturë tjetër për kryeparlamentar, që mund të sigurojë mbështetje më të gjerë.
Ndërkohë, LVV insiston se Albulena Haxhiu është kandidate e merituar dhe ka refuzuar mundësinë e propozimit të një kandidati tjetër. Hekuran Murati nga LVV tha se partia e tij është e gatshme të bëjë kompromise për postet e nënkryetarëve, por jo për postin e kryeparlamentarit.
Vetëm pas zgjedhjes së kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve, Kuvendi do të konsiderohet i konstituuar, dhe kështu do t’i hapej rruga formimit të ekzekutivit të ri.