Çdo vit, më 28 prill, në mbarë botën shënohet Dita Botërore për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, një nismë e krijuar për të theksuar rëndësinë e sigurimit të një ambienti pune të sigurt dhe të shëndetshëm për të gjithë.
Kjo ditë synon të promovojë ndërgjegjësimin dhe të nxisë veprim konkret për uljen e aksidenteve dhe sëmundjeve në vendin e punës. Statistikat globale tregojnë se aksidentet në punë përbëjnë rreth 19% të vdekjeve në të gjithë botën.
Nevoja për një qasje të re dhe plane konkrete për mbrojtjen e punëtorëve është më e rëndësishme se kurrë.
Në vitin 2003, Organizata Ndërkombëtare e Punës shpalli zyrtarisht 28 prillin si Ditën Botërore për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, duke përforcuar kështu përkushtimin global për krijimin e një kulture pune më të sigurt.
Çdo ditë, rreth 6.500 persona humbin jetën për shkak të aksidenteve në punë ose sëmundjeve të lidhura me të, që përkthehet në mbi 2.3 milionë vdekje në vit.
Prandaj, nxitja e një mjedisi pune ku mbizotëron siguria dhe kujdesi për shëndetin është jetike për mirëqenien e çdo punonjësi.
Çfarë nënkupton siguria dhe shëndeti në punë?
Siguria dhe shëndeti në punë përfshijnë të gjitha masat parandaluese që synojnë:
• Përmirësimin e kushteve të punës dhe ruajtjen e jetës e shëndetit të punëmarrësve, si në aspektin fizik ashtu edhe në atë mendor.
• Parandalimin e sëmundjeve që lidhen me kushtet e punës.
• Mbrojtjen e punëtorëve nga ekspozimi ndaj faktorëve të dëmshëm.
• Sigurimin e përshtatjes së vendit të punës me aftësitë dhe nevojat individuale të çdo punonjësi.
Krijimi i një mjedisi të sigurt dhe të shëndetshëm në punë nuk është vetëm një detyrë ligjore, por një domosdoshmëri humane për mbrojtjen dhe mirëqenien e çdo individi në procesin e punës.