Skip to content
Kosovë

Një tjetër shtet heq vizat për qytetarët e Kosovës

· 2 min lexim

Malajzia ka vendosur t’u hapë dyert shtetasve të Kosovës pa vizë për udhëtime të shkurtra deri në 30 ditë, njoftoi të premten presidentja Vjosa Osmani.

Lajmin e dha përmes një postimi në rrjetet sociale, ku e cilësoi vendimin si një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Osmani gjithashtu bëri me dije se gjatë vizitës së saj të ardhshme në Kuala Lumpur, Kosova do të hapë zyrtarisht ambasadën e saj në Malajzi.

“Ky është një tregues i qartë se lidhjet mes dy vendeve tona po forcohen çdo ditë e më shumë. Shpreh mirënjohjen time të sinqertë ndaj institucioneve malajziane për këtë vendim domethënës”, shkroi Osmani.

Në të njëjtën linjë, edhe ministrja e Jashtme në detyrë, Donika Gërvalla, e përshëndeti vendimin, duke e cilësuar si një dëshmi të avancimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe forcimit të marrëdhënieve dypalëshe.

Malajzia ishte një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2008. Me këtë vendim, Malajzia bëhet shteti i 53-të në botë ku qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza.

Deri më tani, Malajzia ishte pjesë e listës prej 38 vendeve që kërkonin viza për kosovarët./ REL