Një lajm i trishtuar ka prekur klubin e Lecces dhe gjithë botën e futbollit italian.
Graziano Fiorita, fizioterapisti i njohur dhe një figurë historike e klubit Giallorossi, ka ndërruar jetë papritur në gjumë në moshën 38-vjeçare.
Ngjarja tragjike ka ndodhur në provincën e Brescias, ku skuadra po qëndronte përpara ndeshjes së planifikuar ndaj Atalantës, e cila do të zhvillohej mbrëmjen e së premtes në stadiumin “Gewiss”.
Fiorita kishte një lidhje të fortë me Leccen, ku kishte shërbyer për më shumë se 20 vjet, duke u bërë një figurë e dashur dhe e pazëvendësueshme për klubin.
Ai nisi rrugëtimin e tij profesional që në moshë të re, duke ndjekur hapat e babait të tij, Fernando, i cili gjithashtu kishte shërbyer si masazhator i ekipit për dhjetë vjet.
Klubi i Lecces, që ka në radhët e tij futbollistët e Kombëtares, Ylber Ramadani dhe Medon Berisha, ka reaguar me një deklaratë të ndjerë, duke shprehur dhimbjen dhe tronditjen për humbjen e Fioritës dhe njoftuar se ndeshja kundër Atalantës do të shtyhet.