Gazetari Sokol Bregu ka deklaruar se policia ka arritur të sigurojë disa imazhe të autorëve që qëlluan mbi makinën ku udhëtonin katër persona në zonën e Lundrës. Ai theksoi se autorët kanë qenë më shumë se tre dhe se ata kanë treguar aftësi të shkëlqyera si qitës profesionistë.
‘Po i afrohet identifikimit të autorëve. Policia për ngjarjen e Lundrës ka dalë në një përfundim, ka disa foto të personave në fjalë dhe mendoj se është ogur i mirë për të dalë në përfundim të identifikimit të autorëve. Është e vetmja provë që kanë siguruar. Po përpiqen të gjejnë një identifikim.
Sa i përket motoçikletës së djegur, kur e gjeti policia ishte e shkrumbuar dhe nuk ka arritur të përftojë asnjë provë shkencorë. Duke parë vendin ku kanë qëndruar autorët e krimit, bëhet fjalë për një mënyrë më ndryshe të ekzekutimit. Personat që kanë qëlluar nuk kanë qenë në lëvizje, por të stacionuar dhe e kanë pritur në një formë pusie. Është atentat ndryshe nga të tjerët. Kanë gjetur mënyrë tjetër se po të ishin paralel nuk do mundin ta kapnin për shkak të mjetit luksoz arrinte.
Nuk di ta them nëse janë ngatërruar. Di që atentati, pavarësisht se duket si gabim në shënjestër, është atentat i menduar mirë dhe me qitës profesionistë. Për mua kanë qenë shumë persona dhe jo vetëm 3.
Skema e krimit nga policia është zbardhur. Automjetin ku udhëtonin fëmijët e ndiqte një automjet tjetër që i identifikonte. Ai ka qenë para makinës. Ka dhënë shenjë, që automjetit i cili ishte shënjestër po vinte. Dy personat që kanë qenë të stacionuar te ajo pika ku është qëlluar, se siç thamë nuk kanë qenë në lëvizje. Kanë qenë në një nga pikat e tregut ushqimor në Tiranë,. Afër vendit ku jemi aktualisht. Kemi një mjet i cili e ndjek shënjestrën dhe jep sinjalin vrasësve. Bën rrotullimin për t’i marrë dhe djegur motoçikletën që ata ishin.’, tha ai.
Ngjarja ndodhi më 17 prill, kur një atentat tronditës ka plagosur katër persona, përfshirë dy të mitur, të cilët aktualisht ndodhen në gjendje të rëndë në spital. Të plagosurit janë Arenc Sefa, 34 vjeç, Klan Mullahi, 19 vjeç, dhe dy të miturit B.D., 11 vjeç dhe M.D., 17 vjeç. Dy djemtë e mitur janë fëmijët e pronarit të kompanisë “Pelikani Security”, ndërsa Sefa është pjesë e stafit të kompanisë dhe ka qenë shoqërues i fëmijëve në momentin kur është kryer atentati.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:50, pranë Tregut Agro Ushqimor në Tiranë, kur të katër personat ishin duke udhëtuar me një mjet luksoz tip “G Class” dhe autorët i kanë qëlluar me armë zjarri.