- Fjala “Pashkë” në origjinë do të thotë “kalim”. Për hebrenjtë, kjo festë përfaqëson kalimin nga robëria në liri, ndërsa për të krishterët simbolizon kalimin nga vdekja qoftë trupore apo shpirtërore drejt një jete të re, të amshuar.
Pashkët kremtojnë ringjalljen e Jezu Krishtit dhe konsiderohen si momenti kulmor i rilindjes së besimit të krishterë. Referencat më të hershme për festimin e kësaj dite datojnë që në shekullin II.
Në Shqipëri, besimtarët katolikë dhe ortodoksë mblidhen në katedrale dhe kisha deri në mesnatë për të marrë pjesë në meshën e shenjtë. Por historia e Pashkëve nuk ka qenë pa debat.
Që në shekullin II, janë shënuar polemika mbi mënyrën e festimit një ndër më të njohurat lidhet me përpjekjen e peshkopit Viktor për të ndëshkuar peshkopët e Azisë për mënyrën se si ata e festonin këtë ditë.
Diskutimet kryesore në atë kohë kishin të bënin me datën e saktë të festës dhe të drejtën për ta festuar.
Një tjetër polemikë u shfaq në shekullin IV, kur shumë besimtarë kundërshtuan ndjekjen e kalendarit hebraik për përcaktimin e datës së Pashkëve.
Ata e konsideronin këtë si një varësi të panevojshme ndaj traditës hebraike. Çështja u zgjidh nga Këshilli i Parë i Nikesë, i cili vendosi që data e Pashkëve të llogaritej në mënyrë të pavarur.
Pashkët shënojnë fundin e Kreshmës një periudhë agjërimi dhe përkorimi që zgjat 40 ditë. Ajo nis me të Mërkurën e Përhimtë dhe përfundon në të Dielën e Palmave.
Këto ditë përkujtojnë periudhën kur Jezusi qëndroi 40 ditë në shkretëtirë, në lutje dhe agjërim, duke u përballur me tundimet e djallit.
Kjo festë e shenjtë festohet në të gjitha kishat e krishtera në mbarë botën. Ceremonia nis me një atmosferë solemniteti, ku kisha ndriçohet vetëm me qirinj dhe lutjet e natës këndohen në lavdi të Jezu Krishtit.
Më pas, atmosfera ndryshon dhe festimet e së dielës pasojnë me muzikë të gëzueshme dhe bashkim të komunitetit.
Në kultura të ndryshme, festimet marrin ngjyrime të veçanta. Shfaqjet bamirëse, këndimi i himneve dhe lutjeve të hareshme janë pjesë e zakonshme e kësaj dite.
Një ndër simbolet më të njohura të Pashkëve është veza, e cila përfaqëson jetën dhe ringjalljen. Tradita si zbukurimi i vezëve dhe gjuetia e tyre nga fëmijët janë tashmë pjesë e pandashme e festimeve moderne.