17-vjeçari i plagosur në atentatin në Tiranë niset për trajtim mjekësor në Itali – vëllai 11 vjeçar në gjendje më të rëndë, pritet të niset sonte
Një kthesë e re ka marrë atentati i së enjtes në mbrëmje në Tiranë, ku katër persona, mes tyre dy të mitur, mbetën të plagosur nga breshëri armësh. 17-vjeçari Marko Demiraj, një nga të plagosurit, është nisur drejt Romës për trajtim të specializuar mjekësor, pasi doli nga Spitali i Traumës. Ndërkohë, vëllai i tij, 11-vjeçari Dior Demiraj, i cili ndodhet në gjendje më të rëndë, por stabël, pritet të niset jashtë vendit mbrëmjen e sotme rreth orës 22:00.
Atentati ndodhi rreth orës 21:30 të së enjtes në zonën e Lundrës, ku persona ende të paidentifikuar qëlluan me breshëri ndaj një automjeti tip “G-Class”. Brenda mjetit ndodheshin katër persona: Arenc Stafa, 34 vjeç; Kian Mullahi, 19 vjeç; dhe dy të miturit Marko dhe Dior Demiraj. Të rinjtë, shokë me njëri-tjetrin, ishin duke u kthyer nga një festë ditëlindjeje për Diorin dhe po shoqëroheshin nga shoferi i tyre.
Sipas dëshmive të dhëna para hetuesve, asnjë prej të plagosurve nuk ka pasur konflikte apo precedentë penalë. Hetimet paraprake sugjerojnë se autorët i kanë ndjekur nga rrethrrotullimi i Shkozës përgjatë autostradës Tiranë-Elbasan, deri në zonën e TEG-ut, ku automjeti ka devijuar në drejtim të Lundrës për të shmangur ndjekjen. Për pasojë, mjeti ka humbur kontrollin dhe është përplasur.
Arenc Stafa dhe Kian Mullahi ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa 17-vjeçari Marko është stabil, dhe Dior, 11 vjeç, ndodhet në gjendje më të rëndë. Pas ndërhyrjeve të para, Marko dhe Kian janë transferuar në një spital privat, ndërsa Dior po përgatitet për transport drejt një klinike jashtë Shqipërisë.
Pista e re: objektivi mund të ketë qenë gruaja e Roan Brahimit
Ndërkohë që hetimet vijojnë, policia po shqyrton një pistë të re që mund të lidhë këtë atentat me një tjetër ngjarje kriminale të ndodhur vetëm disa orë më parë në Lezhë. Burime nga grupi hetimor dyshojnë se objektiv i atentatit në Tiranë mund të ketë qenë gruaja e Roan Brahimit, ndërsa katër të plagosurit rezultojnë të jenë goditur gabimisht.
Gruaja e Brahimit ka deklaruar para hetuesve se nuk ka dijeni mbi autorët që vranë babain e bashkëshortit të saj, Gjovalin Prendin, në Lezhë, dhe nuk mund të pohojë nëse ngjarja në Tiranë ka lidhje me atë atentat. Ajo ka mohuar çdo konflikt personal, por nuk ka përjashtuar mundësinë që bashkëshorti i saj, i njohur si Sidorel Prendi, mund të ketë pasur përplasje me persona të tjerë. Ajo ka shtuar se ndodhej në Tiranë në momentin e sulmit, duke përforcuar dyshimet se autorët kanë pasur informacion për lëvizjet e saj. Po ashtu, ajo ka pranuar se nuk ka marrëdhënie të mira me familjen e bashkëshortit.
Sfondi i ngjarjes: ekzekutimi në Lezhë
Më herët gjatë ditës së ngjarjes, në fshatin Pllanë të Lezhës, u vra me breshëri plumbash Gjovalin Prendi, 65 vjeç, babai i Roan Brahimit. Ai u qëllua nga tre persona të maskuar teksa ndodhej në lokalin e tij. Prendi u transportua në spital, por nuk i mbijetoi plagëve. Kjo ishte hera e tretë që objekti i familjes Prendi sulmohej, pas dy rasteve të mëparshme me armë dhe eksploziv. Dyshohet se atentati në Lezhë mund të ketë qenë akt hakmarrjeje, për shkak të përfshirjes së djalit të viktimës në çështje kriminale. Prendi, një figurë e njohur në zonë, kishte tentuar më herët të ndalte ciklin e përplasjeve mes palëve.
Aktualisht, policia nuk ka ende një pistë të qartë, por po heton seriozisht mundësinë e ndërlidhjes mes atentatit në Lezhë dhe atij në Tiranë. Grupi hetimor po analizojnë çdo provë për të zbardhur motivet dhe identitetin e autorëve të këtyre ngjarjeve të rënda që kanë tronditur opinionin publik.