Në emisionin “Me Zemër të Hapur” është rrëfyer historia tronditëse e një gruaje 39-vjeçare, e cila sot jeton jashtë Shqipërisë, pas një jete të mbushur me sfida të mëdha që nga adoleshenca.
E larguar nga shtëpia që në moshën 16-vjeçare për shkak të problemeve familjare, ajo gjeti strehë tek një burrë shumë më i madh në moshë, i cili ishte i divorcuar dhe baba i tre fëmijëve.
Fillimisht, ajo nuk e kishte menduar si një lidhje romantike. Thjesht kishte nevojë për një vend ku të qëndronte dhe vendosi ta ndihmonte në punët e shtëpisë, pasi ai punonte deri vonë. Me kalimin e kohës, ai filloi të shfaqte ndjenja ndaj saj dhe më vonë u lidhën.
“Unë kam ikur nga shtëpia në moshën 16 vjecare sepse kisha disa probleme. Kam njohur babanë e fëmijës dhe kam jetuar me të. Unë nuk dëshiroja të kisha një marrëdhënie sentimentale me të, por shkova ta ndihmoja me punët e shtëpisë sepse ai punonte me orë të vona. Dëshiroja të kisha një strehim prandaj e ndihmoja. Kohë më vonë filloi të tregonte se kishte ndjenja kundrejt meje. Ai ishte i divorcuar por nuk më kishte treguar se ishte babai i dy vajzave. Vajza e tij e vogël kishte moshën time. Jam njohur edhe me familjarët e tij. Ato nuk kanë qënë shumë dakord me marrëdhënien tonë. Unë kam pasur ndjenja kundrejt tij. I jam shumë mirënjohëse dhe kam shumë respekt”. tha ajo
Por lidhja nuk zgjati. Pas përplasjeve të shumta me vajzat e burrit, të cilat shpesh e fyenin, ai i kërkoi të largohej. Pak kohë pas ndarjes, ajo mësoi se ishte tre muajshe shtatzënë. Lajmi e gjeti të vetme dhe e papërgatitur, ndërsa ai e mohoi atësinë nga frika e opinionit publik. Megjithatë, erdhi ta shihte vajzën pas lindjes në maternitetin e Tiranës.
Për shkak të kushteve të vështira, e detyruar nga rrethanat, ajo e dërgoi vajzën në Fshatin SOS.
E ndarë fizikisht, por jo emocionalisht, ajo vazhdoi ta vizitonte dhe të mbante lidhje me të bijën ndër vite. Vajza, nga ana e saj, gjithmonë ka kërkuar të dijë më shumë për babain dhe prejardhjen e saj.
Sot, pas shumë vitesh larg, 39-vjeçarja është përpjekur të rindërtojë marrëdhënien me familjen biologjike dhe tregon se ka arritur të rikuperojë kontaktet me ta.
Por dëshira më e madhe e saj mbetet ribashkimi me vajzën dhe krijimi i një familjeje të vërtetë.
“Marrëdhënia jonë përfundoi sepse vajzat e tij vizitonin shtëpinë dhe ai më kërkonte të largohesha pasi nuk dëshironte të kisha përplasje me to .Vajzat e tij gjithmonë më kanë ofenduar. Pas largimit nga shtëpia mora vesh se isha tre muajshe shtatzënë. Ai nuk e njohu atësinë e vajzës sepse kishte frikë opinionin. Pasi linda vajzën në spitalin e Tiranës ai erdhi ta shikonte fëmijë. Ishte shumë e vështirë ta braktisja vajzën në fshatin SOS.Unë dëshiroj të ribashkohem me vajzën time dhe të krijoj një familje pasi është endra ime. Nuk e kam humbur kurrë marrëdhënien me vajzën pasi kam shkuar dhe e kam vizituar në fshatin SOS. Ajo kërkonte të dinte për babanë e saj.Fatmirësisht kam rregulluar edhe marrëdhëniet me familjarët e mi. Vajza ka telefonuar dhe ka kërkuar të takojë motrën por ato e kanë mohuar duke i thënë se nuk kanë asnjë motër me të njëjtën mbiemër.” përfundoi 39-vjeçarja.