Një tragjedi ka goditur botën e futbollit shqiptar pasditen e sotme, gjatë ndeshjes gjysmëfinale të kampionatit 9×9 mes ekipeve FC Dajti dhe FC Lumninese. Takimi, i zhvilluar në kompleksin “Shtëpia e Futbollit” pranë selisë së FSHF-së, u ndërpre në pjesën e parë për shkak të një ngjarjeje të rëndë që do t’i linte të gjithë të tronditur.
Bledar Hajdari, 28 vjeç, futbollist i skuadrës FC Dajti, humbi jetën pasi pësoi një atak kardiak në fushën e lojës. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme mjekësore dhe pranisë së ambulancës, ai nuk arriti të mbijetonte.
Hajdari kishte nisur karrierën me të rinjtë e Internacional, ndërsa më pas ishte aktivizuar me klube si Kevitan, Valbona, Orikumi dhe Skrapari. Brenda një muaji do të mbushte 29 vjeç, por zemra e tij ndaloi papritur, duke i dhënë fund jetës së një sportisti të ri me një rrugëtim të gjatë në futbollin shqiptar.
Reagimi i FSHF: Ndihma mjekësore ishte e menjëhershme, por nuk mjaftoi
Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar menjëherë pas ngjarjes, duke shprehur tronditjen për këtë humbje të rëndë. Në një njoftim zyrtar, FSHF thekson se ndihma e shpejtë i është dhënë menjëherë Hajdarit dhe ambulanca ka qenë e pranishme në fushë.
“Për fat të keq, pavarësisht asistencës mjekësore dhe të gjitha përpjekjeve për ta rikthyer në jetë, futbollisti ka ndërruar jetë,” thuhet në reagimin e Federatës.
FSHF u shpreh ngushëllime të sinqerta familjes Hajdari dhe ekipit të FC Dajtit, duke theksuar se ndan dhimbjen dhe pikëllimin me komunitetin sportiv për këtë ndarje të parakohshme dhe të dhimbshme.
Bledar Hajdari, 28 vjeç, ndërroi jetë gjatë një ndeshjeje futbolli në Tiranë.