Albin Kurti ka dorëzuar zyrtarisht dorëheqjen nga posti i kryeministrit të Kosovës, pak para betimit të tij si deputet në legjislaturën e nëntë të Kuvendit.
Në një letër drejtuar institucioneve përkatëse, Kurti thekson se dorëheqja është efektive që nga 23 marsi 2025, datë kur përfundoi mandati katërvjeçar i qeverisë që ai drejtonte dhe kabineti kaloi në statusin e qeverisë në detyrë.
Ai sqaroi se dorëheqja është në përputhje me Kushtetutën, ligjet në fuqi dhe me deklaratën e dorëzuar në KQZ më 27 mars, duke theksuar se ajo kishte qenë e njohur edhe publikisht që atë ditë. Me këtë veprim, Kurti formalizoi largimin nga posti ekzekutiv, për t’u betuar si deputet në Kuvend.
Kujtojmë se më herët, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kurti kishte deklaruar se nuk kishte nevojë për një akt të veçantë dorëheqjeje, pasi mandati i qeverisë kishte përfunduar dhe funksionet po kryheshin në statusin e qeverisë në detyrë.