Një ngjarje tronditëse është sjellë në vëmendje nga emisioni investigativ “Fiks Fare”, duke ndriçuar një realitet të dhimbshëm që rëndon mbi shumë familje shqiptare që përballen me të afërm me probleme të shëndetit mendor.
Në fokus të këtij rasti është Marije Gjoka, një nënë e dëshpëruar që tregon se jeton në ankth të përhershëm prej dhunës së ushtruar nga vajza e saj 35-vjeçare, e cila vuan nga skizofrenia dhe bipolariteti. Marija shprehet se vajza është shumë agresive dhe nuk pranon të marrë medikamentet, gjë që e bën edhe më të rrezikshme për familjen.
Me lot në sy, ajo rrëfen se ndodhet në kushte të mjerueshme ekonomike, ndërsa dhuna ka kaluar në përmasa ekstreme.
Sipas saj, disa ditë më parë vajza është përpjekur ta mbysë në gjumë, duke i vendosur duart në fyt. Ajo kujton me dhimbje edhe një tjetër episod të rëndë: “Nuk durohej më, e denoncova dhe bëri 4 vite burg”. Por dalja nga burgu e përkeqësoi edhe më shumë situatën, pasi dhuna ndaj nënës dhe sjelljet e pahijshme ndaj djalit të saj 15-vjeçar janë bërë më të shpeshta.
“Nuk i pi ilaçet dhe ne nuk e detyrojmë dot t’i pijë. Kemi frikë t’ia japim me zor”, shprehet Marija, duke shtuar se shpesh vajza largohet nga shtëpia pa paralajmërim dhe i duhet të njoftojë policinë për ta gjetur.
Pavarësisht se është drejtuar disa herë tek autoritetet, nëna thotë se nuk ka marrë asnjë ndihmë konkrete. Kështu, ajo ka vendosur të kërkojë ndihmë përmes emisionit “Fiks Fare”. Gazetarja e emisionit, bashkë me Marijen, u drejtuan në Komisariatin nr.5 në Kamëz, por përballen me pengesa burokratike dhe refuzim për t’u dhënë informacion, çka përkeqësoi gjendjen emocionale të gruas, e cila humbi ndjenjat në ambientet e komisariatit.
Pak ditë pas kësaj ngjarjeje, Shefi i Krimeve në Komisariatin e Kamzës, Sokol Llanaj, kontaktoi redaksinë e “Fiks Fare”, duke deklaruar se të gjitha kallëzimet e Marije Gjokës janë protokolluar dhe janë referuar në Prokurorinë e Tiranës.
Gazetarët dhe zonja Marije më pas u drejtuan në këtë institucion për të ndjekur më tej çështjen, me qëllim që Prokuroria të marrë një vendim që mundëson trajtim të detyruar për vajzën, për të shmangur ndonjë tragjedi të mundshme dhe për t’i rikthyer një minimum sigurie kësaj nëne të lodhur nga vuajtjet.