Gjurmët e gjakut të Ilarias ishin kudo në banesën 50 m² të Mark Samsonit në Romë, pavarësisht përpjekjeve të tij dhe nënës për të pastruar vendin e krimit. Mediat italiane kanë zbardhur detajet e raportit mjeko-ligjor, ku thuhet se njolla gjaku janë gjetur në dyshemenë e dhomës së gjumit, pas dollapit, në pjesën e pasme të karriges, mbi jastëkë, si dhe në zonat e tualetit – përfshirë tubat e dushit, lavamanin dhe dorezën e jashtme të derës.
Një tjetër njollë, me përmasa 10-15 centimetra, është gjetur në murin e majtë të korridorit, rreth një metër nga toka. Sipas hetuesve, kjo mund të jetë shenjë që Ilaria, e cila u godit brutalisht tre herë me thikë kuzhine në qafë, ka tentuar të largohet drejt derës për të shpëtuar dhe është mbështetur pas murit me duart e përgjakura.
Nëse do të vërtetohet se nëna e autorit, Nors Manlapaz, ka qenë dëshmitare e momentit të vrasjes apo e agonisë që ka zgjatur disa minuta pa njoftuar ndihmën, pozicioni i saj ligjor mund të rëndohet nga akuza për “bashkëpunim në vrasje”. Ajo aktualisht është nën hetim për fshehje të një kufome. Edhe pse Marku ka deklaruar se nëna ishte në dhomën e saj dhe se Ilaria “bërtiti pak”, hetuesit dyshojnë në mundësinë që ajo të mos ketë dëgjuar gjë në një apartament kaq të vogël, sidomos nëse dera e dhomës së djalit ka qenë e hapur.
Në deklaratën e saj për hetuesit, të dhënë gjatë një marrje në pyetje që zgjati mbi katër orë e gjysmë, Nors Manlapaz rrëfen: “Unë isha duke fjetur atë mbrëmje. E kuptova se ishte një person tjetër në shtëpi vetëm mëngjesin e 26 marsit, kur pashë dy filxhanë kafe. I dëgjova duke u grindur, pastaj asgjë. Hapa derën dhe pashë vajzën e vdekur. Më ra të fikët”.
Pas këtij momenti, ajo ka dalë nga shtëpia për të marrë ajër dhe më pas është kthyer, duke ndihmuar të birin të pastrojë gjurmët. Lecka me gjak janë gjetur në shtëpi dhe gjurmë të gjakut janë konstatuar edhe në tubacionet e tualetit, ku dyshohet se janë larë lecka ose objekte të përdorura në fshehjen e krimit. Gjithashtu, valixhja ku u vendos trupi i Ilarias është marrë nga dhoma e prindërve të Markut, çka lë hapur dyshime për përfshirjen edhe të nënës në këtë proces.
Gjatë seancës paraprake, 23-vjeçari me origjinë filipinase deklaroi se kishte pasur marrëdhënie seksuale me Ilarian mbrëmjen e 25 marsit, pasi ajo kishte shkuar për t’i kthyer rrobat, dy javë pas ndarjes së tyre. Prokurorët kanë kërkuar nga mjekësia ligjore të verifikojë këtë pretendim përmes autopsisë. Marku gjithashtu pretendoi se kishte dhënë disa provime për Arkitekturë në Universitetin “La Sapienza”, por hetuesit zbuluan se ai kishte përfunduar vetëm një.
Një nga pikat kyçe të hetimit është përcaktimi i orës së saktë të vrasjes. Samson pretendon se e ka kryer aktin mëngjesin e 26 marsit, rreth orës 11:00, teksa i sillte mëngjesin në dhomë. Ai thotë se në atë moment babai i Ilarias ishte në punë pranë Vatikanit. Por viktima nuk ishte me pizhame, çka lë të hapur mundësinë që ajo është vrarë që në mbrëmjen e 25 marsit, sapo kishte mbërritur në banesën e tij.
Ndërkohë, policia po verifikon edhe alibinë e xhaxhait të Markut, i cili jeton në të njëjtin pallat dhe ka deklaruar se atë mëngjes ndodhej në punë në një dyqan 500 metra larg.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e vrasjes dhe përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në këtë ngjarje të rëndë që ka tronditur opinionin publik.