Prokuroria e Beratit ka kërkuar 5 vite burg për Natasha Rombulan dhe Armando Kumarakun, përkatësisht gjyshja dhe babai i një djali 10-vjeçar, të cilin e kanë përdorur në mënyrë të papërshtatshme në rrjetet sociale.
Për babain janë kërkuar 3 vite burg dhe një dënim plotësues me heqje të përgjegjësisë prindërore, ndërsa për gjyshen, 2 vite burg.
Sipas akuzës, të pandehurit e kanë keqtrajtuar fëmijën, duke e detyruar të marrë pjesë në video me përmbajtje dhe gjuhë banale në “TikTok” dhe “YouTube”, shpesh kundër dëshirës së tij.
Ata jo vetëm që komunikonin me fjalor të papërshtatshëm me të miturin, por edhe e detyronin të përdorte të njëjtin stil komunikimi në video, gjë që ka ndikuar negativisht në shëndetin e tij emocional.
Prokuroria thekson se fëmija është ndier nën presion të vazhdueshëm, është kërcënuar, bullizuar dhe është ekspozuar ndaj përmbajtjeve dhe sjelljeve që nuk përkojnë me moshën e tij,
përfshirë edhe kontaktin me lëndë narkotike.
Ky abuzim ka shkaktuar pasoja në zhvillimin e tij psikologjik dhe është shoqëruar me simptoma të çrregullimit antisocial.
Pas përfundimit të hetimeve paraprake, organi i akuzës arriti në përfundimin se ekzistojnë prova të mjaftueshme që dëshmojnë fajësinë e Armando Kumarakut dhe Natasha Rombulës për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturit”, kryer në bashkëpunim. Arrestimi i tyre u krye në shkurt të vitit të kaluar.