Pas gjashtë vitesh nga vrasja e Alban Gropçajt në Caucaia të Brazilit, drejtësia më në fund ka caktuar një seancë gjyqësore për të marrë në pyetje dy personat e akuzuar si urdhërues të krimit.
Biznesmeni italian Guido Bertola dhe partnerja e tij braziliane, Silvia Helena de Sousa Rosa, do të përballen me drejtësinë më 5 maj, në Gjykatën Desembargador Joaquim Olímpio da Silveira Carvalho.
Sipas Prokurorisë së Ceará-s, Gropçaj ishte punonjës i një fabrike në pronësi të Bertolës, dhe kishte udhëtuar në Brazil me kërkesë të tij më 2 shkurt 2019.
Dy javë më vonë, më 18 shkurt, ai u vra me armë zjarri nga dy persona me motor, teksa kthehej nga një restorant bashkë me Bertolën. Hetimet zbuluan një komplot të organizuar nga italiani dhe partnerja e tij, të cilët dyshohet se kanë porositur vrasjen përmes nipit të Sílvias, Romário Lopes de Lima ky i fundit u vra dy vjet më vonë, më 24 maj 2021.
Avokati i familjes Gropçaj, Carlos Rebouças, ka shprehur besimin se gjyqi do të hedhë dritë mbi krimin dhe se provat janë të mjaftueshme për të vërtetuar fajësinë e të pandehurve.
Nga ana tjetër, avokatët mbrojtës të Bertolës dhe Silvies këmbëngulin në pafajësinë e tyre dhe shpresojnë që çështja të mbyllet në favor të klientëve më 5 maj.
Familja Gropçaj vijon të kërkojë drejtësi, ndërsa shpreh indinjatën që edhe pas gjashtë vitesh nuk është vënë ende përgjegjësia penale mbi autorët e dyshuar.