Presidenti amerikan Donald Trump ka ndërmarrë një iniciativë për të forcuar rregullat zgjedhore në SHBA, duke propozuar një dekret të ri.
Sipas këtij dekreti, çdo person që dëshiron të regjistrohet për të votuar në zgjedhjet federale do të duhet të vërtetojë shtetësinë amerikane me dokumente zyrtare.
Gjithashtu, votat me postë duhet të dorëzohen tek autoritetet përpara përfundimit të ditës së zgjedhjeve.
Në urdhrin ekzekutiv, Trump argumenton se SHBA-ja nuk ka arritur të zbatojë masat bazë për të siguruar një proces zgjedhor të drejtë dhe transparent.
Dekreti i tij kërkon që shtetet federale të bashkëpunojnë me autoritetet qendrore për të shkëmbyer listat e votuesve dhe për të ndjekur penalisht shkeljet zgjedhore.
Megjithatë, presidenti amerikan nuk ka kompetenca të drejtpërdrejta për të detyruar shtetet të ndryshojnë ligjet zgjedhore.
Për të siguruar zbatimin e masave të propozuara, Trump synon të përdorë presion financiar, duke kushtëzuar fondet federale vetëm për ato shtete që pranojnë dhe zbatojnë dekretin.
Pas nënshkrimit të këtij urdhri ekzekutiv, Trump paralajmëroi se në javët e ardhshme do të ndërmarrë hapa të tjerë në lidhje me ligjin elektoral. Ndërkohë, dekreti pritet të kundërshtohet në gjykatë nga organizatat që merren me të drejtat zgjedhore.
Ata theksojnë se rreth 9% e qytetarëve amerikanë në moshë për të votuar – rreth 21.3 milionë persona – nuk kanë dokumente që dëshmojnë shtetësinë e tyre. Po ashtu, gratë e martuara që kanë ndryshuar mbiemrin mund të hasin vështirësi me regjistrimin, pasi certifikatat e tyre të lindjes përmbajnë mbiemrin e vajzërisë, siç është vërejtur në zgjedhjet e fundit në New Hampshire.
Trump ka qenë prej kohësh kritik ndaj sistemit zgjedhor, veçanërisht pas humbjes ndaj Joe Biden në vitin 2020.
Ai ka sulmuar vazhdimisht votimin me postë, duke pretenduar pa prova se ai krijon hapësira për mashtrime dhe manipulime zgjedhore.