Zbardhen detaje të reja për aksidentin tragjik të ndodhur mbrëmjen e 19 marsit në aksin Vorë–Fushë Krujë, ku humbën jetën katër të rinj. Sipas verifikimeve paraprake, automjeti tip “Benz” me të cilin udhëtonin viktimat dyshohet se po lëvizte me shpejtësi të lartë në momentin e përplasjes fatale.
Të dhënat e para tregojnë se mjeti ka kryer një parakalim ndaj dy kamionëve, është futur sërish në korsinë e vet dhe vetëm pak sekonda më pas është përplasur me një betoniere që ndodhej e ndaluar në rrugë.
Ndërkohë, ka dalë në dritë edhe dëshmia e drejtuesit të betonieres, 24-vjeçarit Aleksandër Krrashi. Ai ka deklaruar për autoritetet se automjeti i tij ishte fikur sapo kishte hyrë në rrugën kryesore, pasi kishte mbaruar nafta. Sipas Krrashit, kishte tentuar ta ndizte dy herë, por pa sukses, dhe më pas ishte larguar për të marrë karburant në një pikë afër zonës.
“Harrova të ndez bllokazhin,” është shprehur ai në dëshminë e tij, duke shtuar se në ato momente kishte menduar vetëm të gjente mënyrë për të furnizuar mjetin me naftë.
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë vijojnë.