Një ngjarje e rëndë ndodhi tre ditë më parë në Tiranë, në rrugën “Faik Konica”. Dy punëtorë ndërtimi humbën jetën dhe tre të tjerë mbetën të plagosur, nga rrëzimi i një skele.
Viktimë mbetën Orjan Kodra, 36 vjeç, dhe Ergys Brahimaj, 31 vjeç, ndërsa të plagosur mbetën punëtorët Gentian Bardhi, 44 vjeç, Euglidios Lika, 34 vjeç dhe Altin Marku, 40 vjeç, të cilët janë dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës.
Mësohet se Brahimaj shumë shpejt do të ikte në Amerikë së bashku me motrën e tij, pasi u kishin dalë letrat. Familja e Ergysit jetonte prej disa kohësh në Amerikë.
Ergysi u përcoll ditën e djeshme për në banesën e fundit. Dy ditë më parë Policia e Shtetit njoftoi se është arrestuar administratori i firmës ‘’Xhimi”, Xhimi Tarushi dhe drejtuesi teknik i firmës Syla, Ilir Bendo.
Sipas “Shqiptarja.com”, Ergysi ishte nga Gramshi. Të afërmit e tij kanë treguar se ai nuk ishe keq ekonomikisht, por kurrsesi nuk donte të varej ekonomikisht nga prindërit.
Ata kanë treguar se Ergysi nuk ishte bërë kurrë barrë për familjen dhe se ishte rritur me vlera të larta morale.