Landfilli i Sharrës, vendgrumbullimi më i madh i mbetjeve në vend, po përballet me një situatë alarmante dy vjet pas sekuestrimit nga SPAK. Mali i mbetjeve nga pesë bashki të vendit vazhdon të rritet, teksa makineritë e rënda përpiqen të krijojnë hapësira të reja për depozitim.
Administratori shtetëror i “Integrated Energy”, Indrit Karaj, ka njoftuar zyrtarisht pesë bashkitë e Zonës së Trajtimit të Mbetjeve Tiranë se kapacitetet e landfillit janë në prag të ezaurimit. Në shkresën e dërguar në shkurt, ai sugjeron ndarjen e mbetjeve në burim si zgjidhje për të parandaluar një krizë të re mjedisore.
Dokumenti thekson se ezaurimi i kapaciteteve do të çojë në pamundësinë e pranimit të mbetjeve të reja, duke detyruar bashkitë të kërkojnë zgjidhje alternative për depozitimin e tyre. Për këtë arsye, kërkohet bashkëpunimi i menjëhershëm për zbatimin e praktikave të ndarjes së mbetjeve në burim.
Procesi i ndarjes së mbeturinave kërkon që familjet të ndajnë plastikën, qelqin, letrën dhe mbetjet e tjera për riciklim. Megjithëse e parashikuar me ligj, kjo praktikë nuk është zbatuar kurrë në Shqipëri për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe ndërgjegjësimit qytetar.
Strategjia e menaxhimit të integruar të mbetjeve u anashkalua nga qeveria Rama, e cila investoi miliona euro në ndërtimin e tre incineratorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë. Këto kontrata koncesionare u shndërruan në një skandal korruptiv masiv, me incineratorët që ose nuk funksionuan, ose mbetën të pandërtuar si në rastin e Tiranës.
Në Sharrë depozitohen mbetjet e Tiranës, Durrësit, Kavajës, Vorës dhe Kamzës. Kontratat koncesionare kanë rritur kostot për bashkitë, të cilat nuk disponojnë alternativa të tjera për trajtimin e mbetjeve.
Bashkia e Kavajës ka krijuar një grup pune për të adresuar problematikën, por sekretari i përgjithshëm Arti Çiçolli pohon se ndarja e mbetjeve në burim është e parealizueshme në afat të shkurtër. Bashkia shpenzon 1.2 milionë euro në vit për depozitimin në Sharrë dhe nuk ka fonde shtesë për riciklimin.
Sipas ekspertes mjedisore dhe ish-zëvendësministres Ornela Çuçi, situata aktuale është pasojë e pritshme e skandalit të incineratorëve. Ajo thekson se menaxhimi i Sharrës duhej të kishte filluar që në momentin e konfiskimit, duke qenë se objekti ishte projektuar si incinerator dhe jo si landfill.
“Menaxhimi i mbetjeve në Shqipëri është sot më kaotik se 10 vjet më parë. Landfillet dhe kapacitetet ku ka investuar shteti janë të mbingopura,” përfundoi Çuçi.