Rreth 15 persona, pjesë e stafit të Universitetit Bujqësor të Tiranës, janë paraqitur këtë të hënë në SPAK, pasi dyshohet se kanë abuzuar me tenderat.
Gjykata e Posaçme ka vendosur masën “detyrim paraqitje” për ta, të cilët janë të dyshuar për abuzim në 9 procedura tenderimi.
Për pesë persona të tjerë, është lënë në fuqi masa “arrest në shtëpi”, e cila u vendos javën e kaluar, ndërsa për katër të tjerë është marrë masa “arrest në burg”.
Hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa dyshohet se zyrtarë të universitetit kanë manipuluar tendera gjatë vitit 2022 me një vlerë totale prej 90 milionë lekësh.
Në kuadër të hetimit janë lëshuar 24 masa sigurie, përfshirë 5 arrestime, 10 masa “arrest në shtëpi” dhe 9 masa “detyrim paraqitje”.
Hetimet kanë zbuluar një skemë korruptive, ku janë përfshirë zëvendësrektori, administratori dhe anëtarë të njësisë së prokurimit dhe komisionit të vlerësimit të ofertave.
Dyshohet se ata kanë bashkëpunuar me kompani private për të manipuluar fituesit e tenderave dhe për të falsifikuar dokumente për të rritur vlerën e kontratave.